RTSH 24 Live

Politikë

Protesta e opozitës, Peleshi: Të respektojmë vijat e kuqe, vendimet e gjykatave

4 orë para

Protesta e opozitës, Peleshi: Të respektojmë vijat e kuqe, vendimet e gjykatave

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi, në një deklaratë për mediet nga Korça ka reaguar mbi protestën e opozitës më 7 tetor për burgosjen e deputetit demokrat Ervin Salianji dhe për përjashtimin e 24 deputetëve të tjerë nga Parlamenti.

Peleshi u shpreh se për vendimet e gjykatave nuk mund të dilet në protestë. Duke komentuar ngjarjen e fundit në Kuvendin e Shqipërisë dhe sjelljen e deputetëve të opozitës, ai kërkoi që të respektohen "vijat e kuqe".

"Maxhoranca përgjigjet për sjelljen e vet politike, ligjore, për raportet e veta me institucionet kushtetuese siç është parlamenti. Ne jemi më detyrë, jemi në Kuvend, respektojmë detyrimet ndaj qytetarëve, nëse e keni fjalë për ngjarjet e fundit dhe sjelljet e pahijshme politike në Kuvend besoj duhet të pyesni opozitën. Mua nuk më vjen mirë natyrisht dhe nuk dua të bëj këtë ndarjen, ne dhe ata sepse në fund të dundit jemi kolege, nuk më vjen mirë për 20-24 apo edhe për 1 deputet të përjashtuar nga seanca, por jo çdo gjë është në dorën tonë.

Me këtë nuk merret grupi i PS që unë drejtoj, me këtë merret sekretariati për etikën që merr në shqyrtim provat dhe vendimin, nuk mund të pyetem unë për këtë, personalisht por edhe grupit parlamentar nuk na intereson që të ketë një seancë jo normale me përjashtime, ne duam senacë normale me debat, me debat të fortë normalisht  por brenda vijave të kuqe. I vetmi problem që unë shoh në politikën tonë, është mos respektimi i vijave të kuqe. Të debatojmë por jo të dalim përtej, ajo që ndodhi ishte e paprecedentë, ne nuk mund ta kemi në rritje dhunën në parlament dhe ta kalojmë nga një krizë ndër partiake tek tjetra. 

Këto janë mendimet tona dhe të grupit parlamentar, nuk është dëshira jotë të ketë parlament të pastabilizuar dhe mendoj e çdo maxhorance", tha ai.

Peleshi tha se e sheh të paarsyeshme protestën ndaj vendimit të një institucioni të pavarur nga qeveria dhe kërkesën për qeveri teknike e cilësoi një "oreks politik".

"Unë nuk mund të komentoj çfarë thotë opozita, protesta është një element demokratik, nuk është herezi, protesta e dhunshme pastaj është diçka tjetër, fakti që opoztia do jetë në protestë është e drejta e tyre, kërkesat politike ata mund ti formulojnë sipas orekseve politike të veta, por unë nuk shikoj se ka ndonjë arsye që të vihet në diskutim qeveria. Për çfarë arsye? Për shkak të një vendimi të formës së prerë nga një institucion i pavarur nga qeveria? A po flasim pasi krijuar sëbashku një reformë në drejtësi, e kemi votuar me duartrokitje me 140 vota, tani të gjykojmë ne vendimet e gjykatave? Për këtë arsye do dalinë në protestë një parti apo partia tjetër? Nuk shikoj ndonjë substancë" përfundon Niko Peleshi.

Opozita ka njoftuar se ditën e hënë më datë 7 tetor do të ngrihen në protestë për arrestimin e deputetit Salianji, si dhe përjashtimin nga jeta parlamentare e 24 deputetëve të tjerë për djegien e karrigeve të Parlamentit dhe tentativës për goditjen e kryeparlamentares Elisa Spiropali.

/rtsh.al/