RTSH 24 Live

Politikë

Ministri Hoxha pret homologun e Maqedonisë së Veriut: Rrisim lehtësitë në pikëkalimet kufitare

4 orë para

Ministri Hoxha pret homologun e Maqedonisë së Veriut: Rrisim lehtësitë në pikëkalimet kufitare

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti këtë të premte (4 shtator) homologun e Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski. Ata diskutuan hapat konkretë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të përbashkët.

Palët folën veçanërisht për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar dhe lehtësimin e regjimit të kalimit në pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Qafë Thanë/Kafasan, rehabilitimin dhe rikonstruksionin e PKK Bllatë/Spas dhe aplikimin e "One Stop Shop" edhe në këtë pikë.

Gjithashtu në fokus ishte edhe ndryshimi dhe plotësimi i marrëveshjes dhe projekteve infrastrukturore për pikën e e përbashkët kufitare Xhepisht - Trebishtë me qëllim rritjen e numrit të banorëve përfitues për lehtësi në qarkullim, menaxhimin dhe kontrollin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të vijës kufitare mes dy shteteve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Dy ministrat trajtuan gjatë takimit mundësinë e shkëmbimit të përvojave në reformat policore. Ndër të tjera, ata ndanë pikëpamjet mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor.

"Shpreha bindjen tonë se, integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane është alternativa e vetme dhe më e mirë, për një demokraci të qëndrueshme dhe për më shumë siguri e stabilitet në rajon dhe në Evropë", theksoi ministri Hoxha.

/rtsh.al/