RTSH 24 Live

Kosovë

Prokuroria, aktakuzë ndaj 2 personave për krime lufte në Kosovë

31/10/2024

Prokuroria, aktakuzë ndaj 2 personave për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur sot se ka ngritur aktakuzë kundër dy të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99.

Sipas prokurorisë të dyshuarit me inicialet S.S dhe M.S. akuzohen për vrasje, dhunë fizike dhe psikike dhe plaçkitje të pasurisë së luajtshme të popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore 1998 – 1999, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë kryer veprat penale, krimi i luftës kundër popullsisë civile”, tha prokuroria në një njoftim për media.

Megjithatë, Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth këtij rasti e as rreth dy të dyshuarve. Kjo është aktakuza e katërt e ngritur në dy muajt e fundit për krime lufte në Kosovë.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se ngriti gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë. Që prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

/rtsh.al/