Ndonëse jemi në fund të vjeljes së pemës së ullirit, fermerët në fshatin Gryksh i Madh, në njësinë administrative Pajovë, janë duke hasur vështirësi në shitjen e tij.
Në ditët e para të shitjes së ullirit, fermerët vendosën ta shisnin me një çmim prej 750 lekë për litër. Ky çmim është ulur në 500 lekë/litër.
Fermerët vërejnë një ulje të konsumatorëve, duke u shprehur që pjesën më të madhe të ullirit e kanë në banesat e tyre.
Ndonëse tregtarë të ndryshëm nga Durrësi e Shkodra vendosin të marrin vajin e ullirit nga zona e Peqinit, fermerët shprehen se të ardhurat nuk justifikojnë shpenzimet vjetore të kësaj kulture.
"S'ka treg. Unë mund të kem nxjerrë 800–900 litër vaj, tjetri 2 tonë. / Vajin e shesim privatisht, njëri me tjetrin. Vijnë na e marrin nga Tirana, Shkodra. / Shitet me shumë vështirësi. Tregtarët e vënë çmimin sa duan vetë," shprehen disa fermerë.
Pronarë të fabrikave të përpunimit të vajit janë shprehur jashtë kamerave se cilësia e ullirit është më e lartë se vitin e kaluar, por vërehet një rënie e nivelit të blerjes nga konsumatorët.
/rtsh.al/