Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një deklarate për mediat është shprehur se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është larguar nga Shqipëria.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur”, tha Berisha.
Berisha, teksa hodhi akuza ndaj Rames dhe Veliajt duke e cilësuar si “bashkëautor në vjedhjeje”, tha se kreu i qeverisë ka bllokuar lëshimin e një urdhër-arrestit për Veliajn.
“Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë”, deklaroi Berisha.
Kujtojmë se SPAK ka sqaruar në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj se ka regjistruar procedim, fillimisht për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.
/rtsh.al/