RTSH 24 Live

Kosovë

Prishtina kërkon hetim ndërkombëtar, Haxhiu: Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova

20/07/2024

Prishtina kërkon hetim ndërkombëtar, Haxhiu: Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu  duke reaguar për rastin e Faton Hajrizit, theksoi se disa të arratisur nga burgjet e Kosovës gjejnë mbrojtje në Serbi, gjë që sipas saj është e qëllimshme dhe e organizuar, ndaj bëri thirrje për hetim ndërkombëtar.

 “Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes, organizimit dhe bashkëorganizimit  të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim.” – shkruan Haxhiu në Facebook.

Postimi i saj vjen një ditë pasi autoritetet në Serbi thanë se vranë të arratisurin nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, i cili ishte në kërkim edhe për vrasjen e një polici serb më 18 korrik. “Arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet në Kosovë po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë.

Në disa raste këto arratisje janë nxitur dhe organizuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në Serbi, duke dhënë garanci që për persona të tillë, territori i Serbisë, grupet kriminale atje dhe nivele të caktuara të pushtetit, ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës.”  - vijon shkrimi i ministres së Drejtësisë.

Haxhiu tha se dënon vrasjen e policit në Loznicë të Serbisë, por theksoi se deklaratat e përdorura nga  ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç për rastin e Faton Hajrizit  ishin të qëllimshme dhe të parapërgatitura.

Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd dhe kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike” – shtoi ajo. Ministrja Haxhiu tha se nevojitet një hetim i thellë për të zbardhur të vërtetën e vrasjes së Hajrizit, ndërsa bëri thirrje që çështja të mos politizohet.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/