RTSH 24 Live

Kronika

Prezenca e OSBE-së në Tiranë: Nuk po zhvillojmë asnjë anketë zgjedhore në Shqipëri

22/02/2021

Prezenca e OSBE-së në Tiranë: Nuk po zhvillojmë asnjë anketë zgjedhore në Shqipëri

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri deklaroi sot se është vënë në dijeni se një organizatë e vetëquajtur OKSE, po zhvillon anketa dhe studime, duke pretenduar se e bën këtë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dëshiron të sqarojë se ajo nuk ka asnjë lidhje me OKSE-n dhe me asnjë anketues tjetër në Shqipëri. “OSBE-ja nuk është dhe nuk do të jetë e përfshirë në sondazhe zgjedhore, dhe ajo distancohet plotësisht nga kjo organizatë dhe veprimet e saj”, theksohet në deklaratë.

“Ne kemi vënë në dijeni autoritetet përkatëse lidhur me çështjen dhe rezervojmë të drejtën të ndjekim veprime ligjore kundër përdorimit të paautorizuar të emrit apo logos së OSBE-së. Me këtë rast, informojmë se emri i OSBE-së, emblema e saj dhe logo të tjera, që janë pronë ekskluzive e OSBE-së, mbrohen nga Neni 6 i “Konventës së Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale” dhe nuk mund të kopjohen, të riprodhohen, të shfaqen apo të përdoren pa lejen paraprake me shkrim të OSBE-së”, thuhet në njoftimin e OSBE.