Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë me miliarderin amerikan, Elon Musk, gjatë vizitës së saj në Paris.
Duke e bërë publik takimin, në platformën “X”, Presidentja Osmani shkruan se, takimi ka qenë efiçienca dhe efektiviteti i qeverisë, krahas luftimit të dezinformimit.
“Një bisedë e frytshme për efiçiencën dhe efektivitetin e qeverisë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin, si dhe rëndësinë e respektimit të vullnetit të popullit”, ka shkruar presidentja Osmani.
Osmani më herët ka dhënë detaje edhe nga takimi i saj me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, të shtunën në Paris.
Ajo ka deklaruar se gjatë takimit ka rikonfirmuar angazhimin e Kosovës për të forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara.
“Në Paris pata nderin ta takoja presidentin Trump dhe ta uroja atë për fitoren e tij në emër të popullit të Kosovës. Rikonfirmova gjithashtu angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë”.
Themeluesi i kompanisë së automjeteve elektrike “Tesla”, Elon Musk, në administratën e Trumpit do të drejtojë Departamentin për Efiçiencën e Qeverisë, i cili synon përmirësimin e efikasitetit dhe modernizimin e administratës publike duke përdorur teknologjinë për të rritur performancën e qeverisë.
/rtsh.al/