Presidenti Donald Trump njoftoi se administrata e tij planifikon të dërgojë “kriminelët e huaj më të këqinj” në një qendër burgimi në Gjirin e Guantanamos, në Kubë.
Trump urdhëron hapjen e qendrës së paraburgimit të emigrantëve në Gjirin e Guantanamos
Presidenti nënshkruan urdhrin ekzekutiv që udhëzon përgatitjen e objektit për strehimin e 30,000 emigrantëve në bazën detare amerikane në Kubë
Zoti Trump ka premtuar se do të rrisë në mënyrë drastike dëbimet, por po ashtu tha se për disa individë mund të mos jetë e sigurtë që do të rrinë në vendet e origjinës.
“Disa prej tyre janë aq të këqinj sa nuk kemi besim që t’ua lëmë në dorë vendeve sepse nuk i duam përsëri këtu, ndaj do t’i dërgoj në Guantanamo”, tha zoti Trump. Presidenti tha se do të udhëzonte zyrtarët federalë të bënin gati qendrat në Kubë për të pritur emigrantët që kanë kryer krime.
"Kemi 30,000 shtretër në Guantanamo për të burgosur kriminelët e huaj më të këqij që kërcënojnë popullin amerikan", tha Presidenti.
Shtëpia e Bardhë njoftoi pak më vonë se zoti Trump kishte nënshkruar një memorandum presidencial për Guantanamon. Grupet e të drejtave të emigrantëve shprehën shqetësim.
“Historia abuzive e Gjirit të Guantanamos flet vetë dhe është e qartë që do të vërë në rrezik shëndetin fizik dhe mendor të njerëzve”, tha në një deklaratë Stacy Suh, drejtoreshë pranë “Rrjetit për mbikqyrjen e burgjeve”.
Zoti Trump tha se ky vendim do të bënte të mundur dyfishimin e kapaciteteve të burgimit të SHBA-së dhe se Guantanamo është "një vend i vështirë për t'u larguar".
Baza ushtarake amerikane në Gjirin e Guantanamos, në Kubë, është përdorur për të burgosurit që janë dënuar në kuadër të luftës së Shteteve të Bashkuara kundër terrorrizmit.
Guantanamo ka një qendër imigrantësh – e veçantë nga burgu amerikan i sigurisë së lartë – që është shfrytëzuar herë pas here gjatë dekadave të fundit, përfshirë për të strehuar imigrantët nga Haiti dhe kubanezët që ishin shpëtuar në det.
Shtetet e Bashkuara e kanë marrë me qira tokën e Guantanamos nga Kuba për më shumë se një shekull. Kuba e kundërshton qiranë dhe zakonisht refuzon pagesat e qirasë së SHBA-së. Presidenti i Kubës Miguel Díaz-Canel tha se ideja e zotit Trump për të dërguar emigrantë në Guantanamo është "një akt brutaliteti".
Ai shkroi ndër të tjera në një postim në rrjetin X se vendimi i qeverisë amerikane për të burgosur emigrantët në bazën detare të Guantanamos, “tregon përbuzje për gjendjen njerëzore dhe ligjin ndërkombëtar”.
/rtsh.al/