RTSH 24 Live

Politikë

Premtimet e Ramës për rritje pagash, Celibashi: Ka ndalime vetëm për zgjedhjet e përgjithshme, do ta vlerësojmë

30/03/2023

Premtimet e Ramës për rritje pagash, Celibashi: Ka ndalime vetëm për zgjedhjet e përgjithshme, do ta vlerësojmë

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka reaguar në lidhje me premtimet e kryeministrit Edi Rama për rritje pagash para zgjedhjeve të 14 majit, që janë konsideruar si shkelje të Kodit Zgjedhor nga opozita.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Celibashi tha se Kodi Zgjedhor ka ndalime për vendimmarrje të caktuara të institucioneve vetëm 4 muaj para zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re dhe se janë disa ndalime që lidhen vetëm me rastet e zgjedhjeve të përgjithshme dhe jo ato vendore.

Megjithatë ai theksoi se KQZ do të marrë një vendim dhe do të vlerësohet respektimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor pasi të ketë një akt, pra një VKM për rritje pagash.

 “Një gjë mund të them dhe s’kam pse ta fsheh që në përgjithësi Kodi Zgjedhor ka ndalime për vendimmarrje të caktuara të institucioneve vetëm 4 muaj para zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re. Janë disa ndalime që lidhen vetëm me rastet e zgjedhjeve të përgjithshme. Disa kufizime janë të qarta për rastet e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Në momentin që ne do të kemi aktin apo veprimtarinë publike, do të vendosim. Leximin e kodit e bëra dhe kur të jetë momenti do të duhet të disponojmë vendimmarrje në lidhje me atë proces që mund të ndodhë, por për deklaratën nuk mund të jap asnjë lloj vlerësimi. Rëndësi ka sesa institucionet i paraqesin vendimmarrjet në përputhje me ligjin. Ne do të duhet ta respektojmë Kodin Zgjedhor, pavarësisht se secili nga ne mund të ketë një opinion. Në fund ajo që duhet të shikohet është si vendosim në raport me ligjin dhe Kodin Zgjedhor. Ndalimi ekziston për akte të qeverisë për rastin e zgjedhjeve të përgjithshme për kuvendin e Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë që në vlerësim të disa rrethanave akte të caktuara të qeverisë të mos marrin gjykimin dhe vlerësimin mbi përputhshmërinë ose mbi respektimin ose të jo të dispozitave të Kodit Zgjedhor”, tha Celibashi.

Ditën e djeshme (29 mars), kryeministri Rama deklaroi se pas rritjes së pagës minimale me 40 mijë lekë do të rritet edhe paga mesatare me 900 euro. Po ashtu ai tha se do të ketë edhe një shpërblim për pensionistët me 5 mijë lekë të reja kur të marrin pensionin e radhës. Ndërkohë nuk kanë munguar akuzat e opozitës që i kanë konsideruar si premtime elektorale, në shkelje të Kodit Zgjedhor.

/rtsh.al/