RTSH 24 Live

Politikë

Potencialet turistike të Gramshit, kryebashkiaku Ajazi rrëfen sfidat

24/04/2024

Potencialet turistike të Gramshit, kryebashkiaku Ajazi rrëfen sfidat

Nga media te puna si këshilltar i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, më pas deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe tanimë kryetar i Bashkisë së Gramshit, Besian Ajazi ka rrëfyer për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” sfidat me të cilat është përballur gjatë punëve të tij, dhe objektivat për institucionin që ai drejton.

Ajazi u ndal fillimisht te turizmi, duke deklaruar se një prej sfidave të tij si kryebashkiak, është kthimi i vizitorëve një-ditorë në turistë disa-ditorë.

Sfida jonë si Bashki, është që duhet të kthejmë nga vizitorë në turistë disa ditorë. Vërtet kemi shumë vizitorë, rreth 120 mijë turistë ditorë gjatë 2023,” u shpreh kryebashkiaku.

Ky i fundit deklaroi se problemi kryesor që ka Gramshi është infrastruktura rrugore.

“Në Gramsh është punuar dhe është ndjerë dora e bashkisë dhe qeverisë. Na janë trashëguar shumë probleme nga ish-komunat. Problemi kryesor që ka Gramshi është infrastruktura rrugore.

Nuk ngurroj ta them që të kthej vëmendjen nga  institucionet që kanë fuqinë financiare dhe përgjegjësinë për ti dhënë zgjidhje këtyre problemeve.

Gramshi të vetmin potencial për zhvillimin ekonomik, lokal, ka turizmin. Zor se gjen një vend në Shqipëri që të mbledh bashkë, një kanion, një ujëvarë, liqene natyrore, liqene artificiale, shpella dhe kala.

Janë shumë fantastike, janë një magji e natyrës. Problemi është infrastruktura rrugore për të shkuar atje. Ka iniciativa private, janë hapur bujtina në zona të ndryshme të Gramshit, por edhe ata kanë stepie a do ketë investim për rrugën, që të jenë të sigurt në investimin që ata bëjnë privatisht”, tha ai.

Kryebashkiaku Ajazi renditi dhe disa prej atraksioneve turistike në zonën e Gramshit, duke nisur nga Liqeni i Banjës, Kanioni i Holtës, Shpella e Kabashit, Ujëvara e Sotirës, Liqeni i Dushkut, Liqeni i Zi, Kalaja e Tërvolit, Grabova, etj,.

“Gramshi ofron shumë atraksione turistike, janë kryesisht të tipit malor. Që kur vjen në Gramsh, përmes segmentit Cerrik-Gramsh shijoni rrugën e Liqenit të Banjës, rrugë që i ka dhënë zhvillim vendit tonë. Pa ardhur në Gramsh mund të devijosh rrugën për në Kanionin e Holtës, sipër është Shpella e Kabashit.

Aty ka ekspedita të grupeve të huaja që shohin shpellën karakteristike.

Pastaj kemi Ujëvarën e Sotirës, kemi Liqenin e Dushkut ku çelin zambakët ujor, kemi Liqenin e Zi që është liqen kurativ. Kemi Grabovën që është pasuri ende e pazbuluar, e mbetur në rrënoja.

Kemi kalanë e Tërvolit. Janë disa atraksione që bëjnë për vete turistin”, bëri me dije kryebashkiku i Gramshit.

Duke u ndalur te marrëdhëniet e tij me Kryeministrin Edi Rama dhe katapultimin në politikë, Ajazi u shpreh se “Kemi raporte partiake dhe qeveritare, si deputet dhe kryetar bashkie.

"Di të them që z. Rama është një njeri shumë kërkues, inovator dhe drejtpërdrejtë. Komunikimi im është komunikim i punëve dhe detyrave që kam dhe përgjegjësive që unë marr. Nuk kemi komunikim të përditshëm.

Ecuria ime, ose rrugëtim im në politikë lidhet me median. Kur thashë që kam fituar gjithçka tjetër që të bën politikan më të ndërgjegjshëm dhe më të pranueshëm, patjetër që fitova dhe miq. Patjetër që z. Balla ka lënë shenjën e vet në rrugëtimin tim. Por shefi im i parë në politikë ka qenë Gramoz Ruçi. Unë kam punuar 4 vite në Kuvendin e Shqipërisë, në grupin parlamentar i PS, si këshilltar i kryetarit të grupit. Ka qenë 4-vjecar shumë mbresëlënës sepse kam punuar me një njeri që unë e kam vlerësuar shumë. Më pas punova 4 vite me z. Balla, dhe përfshirja ime në 8 vite në grupin parlamentar në PS, ambicia ime, ishte një konglomerat ndikimesh që më pas pata mundësinë për të kandiduar. Nuk mjafton vetëm dëshira por kandidimet e mia janë firmë e kryetarit të Partisë, Edi Ramës”.

/rtsh.al/