RTSH 24 Live

Politikë

Ngjarja e rëndë në Shkodër, Spiropali: Dhuna ndaj grave duhet të ndalet me çdo kusht  

05/05/2024

Ngjarja e rëndë në Shkodër, Spiropali: Dhuna ndaj grave duhet të ndalet me çdo kusht  

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Shkodër ku një nënë së bashku me tre fëmijët e saj ku dyshohet se u vetëmbyt në lumin Buna si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Spiropali shkruan se është “thellësisht e tronditur dhe pafundësisht e trishtuar për humbjen e katër jetëve të pafajshme në ujërat e Bunës”.

 Spiropali thekson se fenomeni i dhunës ndaj grave duhet të ndalet me çdo kusht dhe me çdo çmim.

Tre engjëjt dhe nëna e tyre kanë humbur jetën në mënyrën më makabre.  Dyshimet janë se dhuna e bashkëshortit dhe babait të familjes i ka çuar drejt vdekjes. Fenomeni i tmerrshëm i dhunës ndaj grave që plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, duhet të ndalet me çdo kusht dhe me çdo çmim. Lufta ndaj kësaj dhune që merr dhe sakaton jetë grash dhe fëmijësh, duhet të ngrihet në nivelin e emergjencës kombëtare. Duhet të zgjohemi të gjithë si njerëz, si shoqëri e si shtet”, shkruan Spiropali.

Ajo ka bërë thirrje që shoqëria të reagojë kundër fenomenit të dhunës në familje dhe se organet e drejtësisë duhet të jenë pamërshirshme ndaj rasteve të dhunës së grave në familje.

Të çohemi të gjithë kundër këtij fenomeni primitiv, sepse secila jetë është e çmuar dhe nuk mund t'i dorëzohet dhunës së verbër. Organet ligjzbatuese dhe sistemi i drejtësisë duhet të jenë vigjilentë dhe të pamëshirshëm ndaj çdo sinjali, informacioni, denoncimi apo gjykimi për raste të tilla.

Drita e diellit nuk duhet të jetë privilegj për ata që dritën e jetës ua heqin çdo ditë viktimave të tyre. Sistemi ynë arsimor, media, politika, të gjithë duhet të bëjnë më shumë për të ruajtur dhe lartësuar dinjitetin e grave, dhe jo të lejojnë të trajtohen lehtësisht si njerëz të dorës së dytë me gjuhë diskriminuese e seksiste, që brymos patriarkalizmin e sëmurë që ushqen dhunën”, shkruan më tej Spiropali.

/rtsh.al/