RTSH 24 Live

Politikë

Dita e Dëshmorëve të Kombit, Meta: Liria ka çmim të shtrenjtë, duhet mbrojtur me çdo sakrificë

05/05/2024

Dita e Dëshmorëve të Kombit, Meta: Liria ka çmim të shtrenjtë, duhet mbrojtur me çdo sakrificë

Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kryer homazhe në Memorialin "Nënë Shqipëri".

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Meta tha se kjo ditë shërben për të kujtuar se çmimi i lirisë është i shtrenjtë dhe se “duhet bërë çdo sakrificë për ta mbrojtur”.

Kjo ditë na kujton se sa gjak është derdhur për lirinë e Shqipërisë, ditë që na kujton se liria e ka çmimin shumë të shtrenjtë dhe se duhet të bësh çdo sakrificë për ta mbrojtur dhe për ta merituar atë. Besoj shumë te shenjtëria e gjakut të dëshmorëve, besoj shumë te Atdheu dhe Atdheu na duhet që të jetojmë të lirë”, u shpreh Meta.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ashtu si çdo vit edhe sot pritet të zhvillohen homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit nga zyrtarë të shtetit dhe politikës që vendosën kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.

/rtsh.al/