RTSH 24 Live

Aktualitet

Politika mesazhe paqeje në Katedralen e Shën Palit: Të rindërtojmë urat e mirëkuptimit

14 orë para

Politika mesazhe paqeje në Katedralen e Shën Palit: Të rindërtojmë urat e mirëkuptimit

Gjatë festimeve të Krishtlindjeve, liderët politikë shqiptarë kanë përcjellë mesazhe për paqe, harmoni dhe bashkim, duke theksuar rëndësinë e mirëkuptimit dhe unitetit në shoqëri.

Në mëngjesin e Krishtlindjeve, personalitete të shumta të politikës kanë vizituar Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë për t’i përcjellë Arqipeshkvit të Tiranës, Imzot Arjan Dodaj, urimet për Krishtlindje të gëzuara për besimtarët katolikë.

Urimi i parë erdhi nga presidenti Bajram Begaj, i cili theksoi se Krishtlindja është një thirrje për të rindërtuar urat e mirëkuptimit dhe për të forcuar bashkimin midis njerëzve.

“Në një botë plot sfida, Krishtlindja është një thirrje për të rindërtuar urat e mirëkuptimit dhe për të përforcuar frymën e bashkimit midis nesh. Krishtlindja na kujton se asnjë vështirësi nuk mund ta shuajë dritën që lind brenda nesh kur veprojmë me dashuri dhe besim”, u shpreh Begaj.

Gjatë takimit, Imzot Dodaj falënderoi Presidentin Begaj për rolin e tij unifikues dhe për qëndrimet e tij të matura dhe të paqta, duke theksuar nevojën e shoqërisë shqiptare për mesazhe shprese dhe paqeje.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, shprehu urimet më të ngrohta për besimtarët e krishterë, duke theksuar se Krishtlindja është një festë e bekuar që pasqyron harmoninë fetare që mbizotëron në vend.

Spiropali vuri theksin tek rëndësia e kësaj harmonie, duke dërguar një mesazh për politikën dhe shoqërinë, që të udhëhiqen nga arsyeja, mirëkuptimi dhe dashuria, dhe të qëndrojmë larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes.

“Gëzuar Krishtlindjen. Kjo është një festë e bekuar për të gjithë besimtarët e krishterë, por tradicionalisht është festuar nga të gjithë shqiptarët. Harmonia fetare është një pasuri e paçmuar e Shqipërisë dhe është një arsye të cilën ne krenohemi botërisht. Harmonia fetare duhet të bëhet shembull dhe  për politikën për t’u udhëhequr nga arsyeja nga mirëkuptimi dhe për të ndenjur larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes. Këtë mesazh e kam për të gjithë, jo vetëm për politikën, por dhe për shoqërinë, të udhëhiqemi nga këto vlera që ne i mbartim në kulturën dhe shoqërinë tonë dhe le të na udhëheqin edhe në jetën publike. Kjo është dita e mesazhit për dashurinë e madhe dhe përmes lartësimi shpirtëror, mund të kemi edhe në botën tonë një jetë më të mirë, më të begatë dhe më të paqtë, këtë i urojë të gjithëve”, tha Spiropali.

Pjesë e vizitës dhen takimit me Arqipeshkvin e Tiranës, Imzot Arjan Dodaj ishte edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili uroi që magjia dhe forca e kësaj dite të shndërrohet në mirësi dhe frymëzim për çdo qytetar shqiptar.

“Uroj që magjia, forca e kësaj dite të shndërrohet në mirësi, mbarësi, frymëzim për çdo qytetar shqiptar. Ju e dini, besoj, se që në themelimin e Partisë Demokratike aleati më i rëndësishëm, më kryesor ka qenë Vatikani. Patëm mbështetjen më të parë dhe më të fuqishme nga Selia e Shenjtë”, tha Berisha.

/rtsh.al/