RTSH 24 Live

Kronika

Policia kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore

28/02/2023

Policia kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore


Policia e Shtetit njoftoi se po vijon kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Bilanci i deritanishëm është arrestimi dhe procedimi i 19 shtetasve që janë ndaluar ndërsa drejtonin automjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. 

Gjithnjë sipas policisë 107 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.  

Me masë administrative janë ndëshkuar 626 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve. 304 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha. 422 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.

Mmasa administrative, janë aplikuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, por edhe për mosrespektimin e tabelës "Stop".  

Policia SHqiptare vazhdimisht përsërit thirrjen drejtuar drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të jenë të kujdeshëm me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. 

Policia ka lajmëruar se në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, shërbimet e policisë do të vijojnë kontrollet dhe monitorimet intensive. 

Ajo po përdor makinat inteligjente, radarë automatikë, dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe mjete të pauniformuara, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri. "Udhëtoni me jetën në mendje!" është thirrja e policisë.

 

/ rtsh.al /