RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Plani i sulmit të Izraelit ndaj Iranit, SHBA nis hetimet për rrjedhjen e informacioneve sekrete

20/10/2024

Plani i sulmit të Izraelit ndaj Iranit, SHBA nis hetimet për rrjedhjen e informacioneve sekrete

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka deklaruar se rrjedhja e informacioneve të klasifikuara amerikane mbi planet e Izraelit për hakmarrje ndaj Iranit është mjaft shqetësuese.

Sipas Johnson-it, SHBA po kryen një hetim mbi rrjedhjen e informacioneve dhe për këtë do të jepen shpjegime në orët në vijim.

Rrjedhja është shumë shqetësuese. Aty bëhen disa akuza serioze. Hetimi është duke u zhvilluar dhe unë do të marr një informim për këtë brenda disa orësh. Ka një konferencë të nivelit të klasifikuar dhe më pas një tjetër. Por ne po e ndjekim nga afër,” tha Johnson për CNN.

Johnson vuri në dukje se ai foli dje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, ndërsa shtoi se nuk ishte ai personi i duhur për t’i sugjeruar atij se cila duhet të ishte përgjigja e Izraelit ndaj sulmit të fundit të Iranit.

Dokumentet të klasifikuara “top sekret” në lidhje me planet e Izraelit filluan të qarkullojnë në internet të premten dhe një person i njohur me këtë çështje ka konfirmuar vërtetësinë e dokumenteve për CNN.

Ato janë të shënuara tepër sekrete dhe kanë shenja që tregojnë se duhet të shihen vetëm nga SHBA dhe aleatët e saj, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Mbretëria e Bashkuar. Që atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë nisur një hetim mbi rrjedhjen e informacioneve.

Lindja e Mesme është gjithë “sy e veshë” se cila do të jetë përgjigja e Izraelit ndaj Iranit pas sulmit me raketa të këtij të fundit në fillim të këtij muaji.

/rtsh.al/