Ulja e numrit të lindjeve, që po sjell plakjen e popullatës, është një fenomen që mund të frenohet.
Sipas gjykimit të sociologëve, mund të hartohen politika sociale që do të nxisnin lindjet, pasi siç po shihet rëndom vitet e fundit, çiftet e reja qëndrojnë më së shpeshti me vetëm 1 fëmijë.
"Sot një çift i ri është më i pasigurt në aspektin ekonomik. Është problem strehimi, siguria e punësimit, mbështetja ekonomike, si dhe bonuset për bebet, që nuk duhen dhënë një herë e përgjithmonë, por të ndiqen në vazhdimësi. Kjo do të ishte një mundësi për të shkuar drejt rritjes së politikave të natalitetit dhe çiftet të paktën të prodhojnë veten e tyre," shprehet sociologu Eriseld Kalemaj.
Sociologu propozon që për të rritur lindshmërinë në popullatë, fokusi duhet të jetë më tepër në forcimin e rolit të gruas në familje.
"Të mbështetej sidomos raporti i nënës me fëmijën. Të kishte politika sociale mbështetëse për t' dhënë një lloj ngrohtësie, që do ta bënte të ndërmerrte dhe ta zgjeronte familjen. Ne jemi te familja bërthamë, jo te familja e dikurshme e zgjeruar. Gruaja tashmë nuk është thjesht një shtëpiake," thotë z. Kalemaj.
Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar dhe të brendshëm, kanë sjellë ndryshimin e strukturës së popullsisë, duke bërë që të rritet mosha mesatare në popullatë.
/rtsh.al/