RTSH 24 Live

Politikë

PL, Meta: Shqipëria do të jetë një fuqi eksportuese në bujqësi

25/04/2024

PL, Meta: Shqipëria do të jetë një fuqi eksportuese në bujqësi

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë paraqitjes së programit për bujqësinë deklaroi se Shqipëria do të jetë shumë shpejt një fuqi eksportuese në bujqësi.

Sipas tij, Shqipëria ka potencial jo vetëm të sigurojë nevojat e brendshme të tregut, por edhe të jetë fuqi eksportuese në bujqësi, e cila, sipas Metës, “është një nga 5 përparësitë e PL-së”.

“Partia e Lirisë e ka një prioritet mbështetjen e bujqësisë, blegtorisë në veçanti, ushqimit e agro-përpunimit. Jemi të bindur se Shqipëria shumë shpejt do të jetë fuqi eksportuese në këtë drejtim, pasi jo vetëm që do të plotësojë nevojat e brendshme të saj, por do të ketë dhe rezultate spektakolare sa i takon eksporteve”, deklaroi Meta.

Sipas tij, programi i PL-së reflekton edhe disa nga mangësitë, që janë vërejtur në sistemin e Maqedonisë së Veriut, pasi përqendrohet në mënyrë shumë efikase për të mbështetur çdo kontribut, që të shndërrohet në një arritje të mirëqenies së atyre që punojnë në këtë sektor.

“Bujqësia dhe blegtoria është një nga programet dhe prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë për të ndaluar shpopullimin e vendit. Është edhe një shërbim që i bëhet dominimit të tregut nga importet dhe një grupi importuesish që lidhen me kryeministrin aktual. Ne dolëm sot dhe bëmë publike disa objektiva konkrete, në mënyrë që të tërheqim edhe më shumë vëmendjen drejt këtij prioriteti dhe të kërkojmë që të gjithë të japin mendimin e tyre në lidhje me këtë çështje”, tha Meta.

/rtsh.al/