RTSH 24 Live

Aktualitet

Pjesë e organizatës kriminale në Itali, GJKKO sekuestron pasuritë e 4 vëllezërve Hoxha dhe nipit të tyre

15/04/2024

Pjesë e organizatës kriminale në Itali, GJKKO sekuestron pasuritë e 4 vëllezërve Hoxha dhe nipit të tyre

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur sekuestrimin e pasurive të 4 vëllezërve Hoxha dhe nipit të tyre, pasi dyshohet se ata janë vënë përmes krimit.

Vëllezërit Zamir Hoxha, Vladimir Hoxha, Dilaver (Oliver) Hoxha dhe Mentor Hoxha, janë dënuar në Itali në 2012 për përfshirje në organizatë kriminale me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit, emigracionit klandestin dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

SPAK kërkoi sekuestrimin e pasurive në 2023, ndërsa GJKKO u shpreh sot (15 prill) me vendim duke sekuestruar:

  1. Pesë llogari bankare me gjendje në total rreth 94 000 (nëntëdhjetë e katër mijë) Euro;
  2. Pesë llogari bankare me gjendje në total rreth 145 000 (njëqind e dyzetë e pesë mijë) Lekë;
  3. Pasuria e paluajtshme e llojit “truall” dhe “arë”, me sipërfaqe 600 m², prej së cilës 145.6 m² truall dhe 134.3 m² sipërfaqe ndërtese, ku ndërtesa është godinë banimi 3 katëshe ( kati përdhe 134.3 m², kati i parë 134.7 m², kati i dytë 134.7 m² dhe verandë 3.7 m²), me adresë fshati Domje, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, në pronësi të shtetasit K.H;
  4. Pasuria e paluajtshme e llojit “truall” dhe “arë”, me sipërfaqe totale 600 m², prej së cilës 166.1 m² truall dhe 137.1 m² sipërfaqe ndërtese, ku ndërtesa është godinë banimi 2 katëshe (kati  përdhe 137.1 m² dhe kati i parë 146.6 m²), me adresë fshati Domje, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, në pronësi të Mentor Hoxha;
  5. Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 800 m², me adresë fshati Domje, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, në pronësi të shtetases S.D. (H.);
  6. Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 8 000 m², me adresë fshati Domje, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, në pronësi të shtetasit D.Ç.;
  7. Pasuria e paluajtshme e llojit “njësi”, me sipërfaqe totale ndërtimi 325.8 m² (sipërfaqe social ekonomike 290.5 m² dhe sipërfaqe takuese 35.3 m²), me adresë Mëzez, Njësia Administrative Kashar, Tiranë, në pronësi të shtetasit Dilaver Hoxha, e legalizuar me leje legalizimi nr.137 507, datë 15.11.2018;
  8. Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 9.936 m², me adresë Fushë Mamurras, Kurbin, në pronësi të shtetasit K.H.;
  9. Pasuria e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 22.500 m², me adresë Fushë Mamurras, Kurbin, në pronësi të shtetasit G.B.

Sipas SPAK “Zamir Hoxha është duke u hetuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal,  “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, i destinuar në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Danimarkë, Belgjikë, Holandë, Suedi, Norvegji dhe Gjermani, gjatë periudhës kohore të viteve 2018-2019, ku pjesa më e madhe e anëtarëve të këtij grupi të strukturuar kriminal të kryesuar nga shtetasi shqiptar Jetmir Kastrati (Sokol Krasniqi), janë deklaruar fajtorë dhe janë dënuar nga autoritetet gjyqësore në Danimarkë”.

Ndërsa nipi i tyre Alfonc Hoxha, sipas SPAK, është arrestuar në Gjermani, në vitin 2020, për veprën penale “Shkelje e ligjit për lëndët narkotike”.

 /rtsh.al/