Kremlini ka reaguar pas vendimit të SHBA për pezullimin e ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës. Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit ka deklaruar se ky vendim i presidentit Donald Trump mund të detyrojë regjimin e Kievit të përfshihet në proces paqeje.
“Nëse Shtetet e Bashkuara kanë vendosur vërtet të pezullojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, mund të detyrojnë regjimin e Kievit të përfshihet në një proces paqeje”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Urdhri i Presidentit të SHBA Donald Trump për të pezulluar ndihmën ushtarake për Kievin hyri në fuqi në orët e para të së martës (4 mars).
Një zyrtar i Pentagonit ka deklaruar se Forcat e Armatosura të SHBA-së kanë pezulluar furnizimet me ndihmë ushtarake për Ukrainën. Sipas tij, masa ka të bëjë me të gjitha pajisjet ushtarake amerikane që nuk kanë arritur ende në Ukrainë, duke përfshirë armët e transportuara me avionë dhe anije ose që presin të dërgohen nga zonat e tranzitit në Poloni.
"Padyshim, ne duhet të kuptojmë ende detajet, por nëse është e vërtetë, atëherë ky është një vendim që me të vërtetë mund ta shtyjë regjimin e Kievit drejt një procesi paqeje," vuri në dukje zëdhënësi presidencial rus.
/rtsh.al/