RTSH 24 Live

Botë

Hyjnë në fuqi tarifat e SHBA ndaj Meksikës, Kanadasë e Kinës

5 orë para

Hyjnë në fuqi tarifat e SHBA ndaj Meksikës, Kanadasë e Kinës

Kanë hyrë në fuqi tarifat e vendosura nga SHBA për importin e mallrave nga Kanadaja, Meksika e Kina.

Trump ka njoftuar tarifa 25% kundër Kanadasë dhe Meksikës dhe 20% tarifa kundër Kinës, ndonëse për këtë të dytën një muaj më parë u njoftua taksa 10%.

Kanadaja ka reaguar menjëherë ndaj këtij vendimi, duke paralajmëruar se do të hakmerret me tarifa 25% për mallrat amerikane me vlerë 150 miliardë dollarë.

Tregjet amerikane ranë dhe tregjet aziatike u tronditën nga mundësia e një lufte tregtare.

Një javë më parë, Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se 4 marsi do të ishte data e fundit për vendosjen e tarifave prej 25% për mallrat e importuara nga Kanadaja dhe Meksika ashtu siç kishte planifikuar fillimisht. Ai tha se dy vendet fqinje nuk po bënin sa duhet për të frenuar fluksin e drogës që hyn në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump paralajmëroi në platformën e tij të mediave sociale ‘Truth Social’ se po të martën do t'i vendoste Kinës një tarifë shtesë prej 10%, krahas 10%-it që i vendosi Pekinit në fillim të këtij muaji. Kina iu kundërpërgj masës së parë amerikane, duke u vendosur produkteve të njëjtën tarifë prej 10 për qind.

Në fillim të këtij muaji Presidenti Trump njoftoi se do të vendoste tarifa ndaj Kanadasë dhe Meksikës, dy nga aleatët dhe partnerët tregtarë më të ngushtë të vendit, por ai e pezulloi vendimin për një muaj, pasi Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se do të dërgonte 10,000 trupa në kufirin me SHBA-të për të ndihmuar në kontrollin e trafikut të drogës.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se do të emëronte një zyrtar që do të trajtonte çështjen fentanilit.  Meksika eksporton 80% të produkteve të saj në Shtetet e Bashkuara.

/rtsh.al/