Mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar, veçanërisht ata para- dhe tetraplegjikë, vijon t'i pengojë ata në marrjen e shërbimeve.
Një pengesë të tillë, kjo kategori e ndjen edhe në zyrat e Postës Shqiptare, ku tërheqin pagesat e paaftësisë.
"Jemi ankuar edhe për Postën. Në disa raste situata është përmirësuar, ndërsa tani kemi vendosur që të krijojmë një dialog me ta në mënyrë që të kuptohet edhe prej tyre se si mund të marrin masa për ta përmirësuar," thotë Suela Lala, drejtore e Fondacionit "Së bashku".
Një ndër mekanizmat që personat me aftësi të kufizuar mund të përdorin për të garantuar aksesin e tyre është ankesa tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
"Dy vitet e fundit kemi parë një lloj reagimi të shtuar nga institucionet dhe ndonjëherë çështja është mbyllur duke qenë se është marrë masa," shton znj. Lala.
Mungesa e aksesit i përjashton personat me aftësi të kufizuar edhe nga pjesëmarrja në aktivitete sociale e kulturore.
"Çuam një shfaqje teatrore nëpër rrethe dhe konstatuam se asnjë prej pallateve të kulturës apo teatrove në qytete të rëndësishme të vendit nuk kishte akses për personat me aftësi të kufizuara," tregon drejtuesja e Fondacionit "Së bashku".
Ligji përcakton se të gjitha godinat që ofrojnë shërbime publike duhet garantojnë edhe aksesin e personave me aftësi të kufizuar.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/