Tensione dhe përplasje para nisjes së seancës plenare të kësaj të enjte. Opozita, sikurse e kishte paralajmëruar, pas përjashtimit të 24 deputetëve, nuk do të lejojë zhvillimin normal të punimeve, duke u përplasur me Gardën e duke mos lejuar kolegët socialistë të futen në ambientet e Parlamentit.
Deputeti demokrat Gazment Bardhi është përplasur me kreun e grupit parlamentar socialist Niko Peleshi, duke deklaruar se mazhoranca ka djegur gjithë Shqipërinë dhe se vendimi për përjashtimin e opozitës nga punimet e Parlamentit po përdoret prej tyre.
“Çfarë bëm ne? Ju keni djegur gjithë Shqipërinë. Si i përgjigjesh krimit dhe bandës ti? E kam me ushtarët e krimit, s’kam punë me kolegët deputetë’, tha Bardhi.
Nga ana e tij, socialisti Peleshi deklaroi se përsa kohë opozita djeg karriget e Parlamentit shqiptar dhe tenton të godasë kryeparlamentaren, përjashtimi nga punimet e Kuvendit është vendimi i duhur.
“Nuk është skenar ky, nuk firmosëm ne, firmosët ju me zjarr. Po ca kapesh me mua kot? I dogje ti karriget, jo ne. O gaz, nuk e ke skenar këtë, nuk është kjo opozita”, iu drejtua Peleshi-Bardhit.
Sakaq, pas përplasjes mes tyre, në ambientet e Kuvendi ka mbërritur automjeti i Kryeparlamentares Elisa Spiropali, e cila sipas deputetit Flamur Noka, ka hyrë në Kuvend nga dera e tualetit dhe jo nga dera kryesore e Parlamentit.
“Makina është bosh, ka hyrë nën rrogoz, ka hyrë nga dera e banjos, Ka gjë më të neveritshme? Këta hyjnë si minj nga dritarja e banjos dhe kur futen brenda flasin në emër të ppopullit e ligjit.
Nuk qajnë për kaerirge, por bëjnë propagandë me një karrige.
Nuk do ketë qetësi. Ky është demonstrim i qatë se populli shqiptar ditën e hënë ora 18:00 të vërshojë në bulevard dhe gjithë Tiranën. Duhej të hynin dinjitoz si njerëz që përfaqësojnë popullin, por këta nuk e përfaqësojnë popullin, hyjnë si minjtë nga dera e dritarja e banjos”, deklaroi Noka.
/rtsh.al/