Papa Françesku kaloi një tjetër natë të qetë në spital, tha Vatikani të premten, pasi të enjten vuri në dukje një përmirësim të gjendjes së tij klinike për të dytën ditë radhazi. I shtruar në spitalin Gemelli të Romës më 14 shkurt për vështirësi në frymëmarrje, gjendja e Papës u rëndua pasi u zbulua se ai po vuante nga pneumonia e dyfishtë.
Megjithatë, së fundmi Vatikani ka lëshuar disa deklarata optimiste.
“Ashtu si në ditët e mëparshme, nata kaloi e qetë dhe Papa tani është duke pushuar”, - tha Vatikani në buletinin e tij të mëngjesit për shëndetin e 88-vjeçarit. Pas një fundjave të vështirë në të cilën argjentinasi, që është zgjedhur Papë që nga viti 2013, pësoi një atak respirator, Vatikani këtë javë vuri në dukje përmirësime të lehta të gjendjes së tij shëndetësore.
Mjekët kanë paralajmëruar se rikuperimi i Papës mund të marrë kohë për shkak të moshës dhe sëmundjeve të tij kronike. Pavarësisht sëmundjes, Ati i Shenjtë ka vazhduar të punojë nga spitali. Ai po qëndron në një suitë speciale papale në katin e 10-të të spitalit Gemeli në Romë. Kjo është e katërta herë që Papa shtrohet në spital gjatë papatit të tij gati 12-vjeçar.
/rtsh.al/