RTSH 24 Live

Botë

Moment historik mes turqve dhe kurdëve - Lideri i PKK-së bën thirrje për shpërbërjen e organizatës dhe dorëzimin e armëve

4 orë para

Moment historik mes turqve dhe kurdëve - Lideri i PKK-së bën thirrje për shpërbërjen e organizatës dhe dorëzimin e armëve

Lideri i Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), Abdullah Ocalan, ka bërë thirrje për çarmatosjen e të gjitha grupeve të armatosura dhe ka theksuar se organizata ushtarake që është shpallur si grup terrorist nga SHBA, BE dhe Turqia, duhet të shpërbëhet.

Zgjidhja është në dinamikat historike shoqërore. Kurdët dhe turqit duhet të rindërtojnë shpirtin e unitetit dhe vëllazërisë, të bazuar në aleancën e tyre shekullore”, tha Ocalan. Deklaratën e shumëpritur e lexuan deputetët e Partisë së Lirisë dhe Demokracisë së Popullit (DEM), në një tubim të titulluar “Thirrje për paqe dhe shoqëri demokratike”, që u mbajt në një hotel konferencash ndërkombëtare në Stamboll.

Ocalan theksoi se PKK ka humbur kuptimin e ekzistencës së saj për shkak të faktorëve të brendshëm, dështimit të socializmit të vërtetë në vitet 1990, ndryshimeve në politikën e identitetit në Turqi dhe përparimit në lirinë e shprehjes. Për këtë arsye, ai tha se beson se ka ardhur koha për shpërbërjen e organizatës.

PKK duhet të mbajë kongresin e saj për të marrë një vendim për çarmatosjen,” shtoi Öcalan. Kjo thirrje mund të shënojë fundin e konfliktit që ka zgjatur më shumë se katër dekada dhe që ka marrë dhjetëra mijëra jetë.

Ocalan, i cili është 75 vjeç, ndodhet në burgun e ishullit Imrali që nga viti 1999, pasi u dënua për tradhti. Pavarësisht izolimit të gjatë, ai ende ka një ndikim të fuqishëm në PKK, dhe analistët vlerësojnë se kreu i organizatës mund ta dëgjojë thirrjen e tij, megjithatë disa fraksione mund të ofrojnë rezistencë.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/