RTSH 24 Live

Botë

Goditje ndaj Maduros - Trump ndalon eksportimin e naftës së Venezuelës në SHBA

5 orë para

Goditje ndaj Maduros - Trump ndalon eksportimin e naftës së Venezuelës në SHBA

Qeveria amerikane ka njoftuar se do të përfundojë leja që i lejonte kompanisë energjetike “Chevron Corp.” të nxirrte dhe eksportonte naftën venezuelase, e cila ka qenë një burim i rëndësishëm financiar për Venezuelën. Ky vendim u bë i njohur  nga presidenti Donald Trump, i cili akuzoi Qeverinë e presidentit Nicolas Maduro për mos përmbushjen e kushteve demokratike gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe për ngadalësimin e procedurave për kthimin e emigrantëve venezuelianë. 

Administrata e kaluar e ish-presidentit Joe Biden e kishte lëshuar këtë leje më 2022, pasi Maduro ishte pajtuar që të punonte me opozitën politike të Venezuelës për zgjedhje demokratike. Sidoqoftë, zgjedhjet e korrikut nuk ishin as të lira, as të drejta dhe Maduro muajin e kaluar u betua në mandatin e tretë 6-vjeçar pavarësisht nga provat e besueshme se kundërshtari i tij kishte marrë më shumë vota. Venezuela shtrihet mbi rezervat më të mëdha të vërtetuara të naftës në botë dhe dikur i shfrytëzonte ato për ta fuqizuar ekonominë më të fortë të Amerikës Latine.

Megjithatë, korrupsioni, keq menaxhimi dhe më pas sanksionet ekonomike nga ShBA-ja shkaktuan rënien e vazhdueshme të prodhimit. Më shumë se 7,7 milionë banorë të Venezuelës janë larguar nga atdheu nga viti 2013, kur Maduro u bë president. Shumica janë vendosur në Amerikën Latine dhe në Karaibe, por pas pandemisë, ata gjithnjë më shumë e kanë synuar edhe shkuarjen në SHBA.

/rtsh.al/