Rajonet jugore dhe lindore të Spanjës po luftojnë me përmbytjet dhe vërshimet e ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut që ranë brenda pak orëve. Përmbytjet e së martës në zonat e banuara raportohet se shkaktuan të paktën 51 viktima, ndërsa disa persona mbeten të zhdukur.
Një nga zonat më të prekura është ajo e Valencias, ku uji dhe balta kanë vërshuar rrugëve të qytetit duke shembur mure, ura dhe marrë me vete mjetet e parkuara. 200-320 mm shi ranë në pjesë të ndryshme të Valencias në më pak se 12 orë, në një kohë kur gjatë muajit tetor mesatarja e reshjeve të shiut në këtë zonë është 77 mm.
Kreu rajonal i Valencias, Carlos Mazon u shpreh se anë gjetur disa trupa të pajetë, ndërsa ekipet e shpëtimit janë në terren në zonat e prekura nga përmbytjet.
“Fatkeqësisht, ne mund të konfirmojmë se disa trupa tashmë janë gjetur, por për respekt për familjet nuk do të japim më shumë detaje”, tha Mazon.
Gjithashtu për shkak të përmbytjeve janë anuluar fluturimet në aeroportin e Valencias deri në një njoftim të dytë, ndërsa jashtë funksionit janë edhe linjat e trenave dhe transportit publik.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u kërkoi qytetarëve të veprojnë me "kujdes të madh" dhe të shmangin lëvizjen nëse nuk është e nevojshme.
Qeveria spanjolle ngriti një komitet krizash, që do të kryesohet nga kryeministri Sánchez dhe do të koordinojë punën e Gardës Civile, Policisë Kombëtare, Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes Civile dhe Njësisë së Emergjencave Ushtarake.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, thotë se "Evropa është e gatshme të ndihmojë" pas atyre që ajo i quan "pasojat katastrofike" të përmbytjeve në bregun jugor dhe lindor të Spanjës. Në një deklaratë në X, ajo shpreh solidaritetin e saj për të gjithë të prekurit.
/rtsh.al/