Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte do të thërrasë një takim të Këshillit NATO-Ukrainë javën e ardhshme, pasi Rusia lëshoi një raketë të re në Ukrainë në atë që shihej gjerësisht si një përshkallëzim i ri i rrezikshëm.
”Përdorimi nga Moska i raketës balistike eksperimentale me rreze të mesme veprimi në një sulm në qytetin kryesor të Ukrainës, Dnipro, do të jetë fokusi i takimit”, theksoi zëdhënësi i NATO-s.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se gjashtë koka luftarake jo-bërthamore goditën qytetin industrial të Dnipros në Ukrainën lindore të enjten në mëngjes.
Putin ka kërcënuar se do të përdorë armën e re, të quajtur Oreshnik, në sulme të tjera. Në një mesazh video, ai tha se ”raketa udhëton me shpejtësi hipersonike dhe nuk mund të kapet”.
Presidenti rus tha se përdorimi i armës ishte në përgjigje të vendimit të fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë për të lejuar Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjatë për të goditur territorin rus.
Konsultimet e NATO-s në Bruksel u organizuan me kërkesë të Kievit dhe do të zhvillohen në nivel ambasadori.
/ rtsh.al /