Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos është përkeqësuar sërish këtë të premte (24 janar). Prej 14 ditësh ai vijon të jetë i intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të Spitalit “Evangelismos” në Athinë dhe po monitorohet nga një ekip i specializuar mjekësor, nën drejtimin e profesoreshës Anastasia Kotanidou.
Shëndeti i 95-vjeçarit ka pësuar një përkeqësim të dukshëm që nga mëngjesi i datës 3 janar ku u dërguar me urgjencë nga Tirana në Athinë, pasi pësoi dështim të shumëfishtë të organeve. Në datën 10 janar, Kryepeshkopi iu nënshtrua një operacioni për të trajtuar gjakderdhjen e rëndë në sistemin e tretjes. Pas procedurës, mjekët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të zgjuar Kryepeshkopin, por deri më tani këto përpjekje nuk kanë dhënë rezultat.
Mjekët janë duke u përpjekur të ofrojnë çdo mundësi për përmirësimin e gjendjes së tij, duke përfshirë një procedurë trakeostomie për të mbajtur funksionin e frymëmarrjes gjatë periudhës së intubimit të zgjatur.
Kryepeshkopi Anastas, i cili udhëhoqi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë që prej vitit 1992, ka një ndikim të madh në shoqërinë shqiptare dhe jashtë saj, përmes veprimtarive të tij shpirtërore, edukative dhe sociale.
/rtsh.al/