RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Përcillet për në banesën e fundit nënkomisari i Policisë Shqiptare Saimir Hoxha

29/09/2021

Përcillet  për në banesën e fundit nënkomisari i Policisë Shqiptare Saimir Hoxha

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë janë zhvilluar të mërkurën homazhet në shenjë dhimbjeje, respekti e përkujtimi ndaj nënkomisarit të Policisë Shqiptare Saimir Hoxha, i cili u vra në krye të detyrës gjatë një operacioni kundër trafikimit të kanabisit në afërsi të Lezhës.


I pranishëm ishte dhe presidenti i vendit Ilir Meta, i cili e ka quajtur të ndjerin "hero të Policisë së Shtetit" që nuk e meritonte të ndahej nga jeta, komuniteti dhe nga familja. "Është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por edhe dekurajimin e krimit ordiner, ashtu sikurse është një prioritet lufta çdo sekond kundër trafikut të drogës, kundër atyre të cilët jo vetëm përfitojnë prej saj, por për të shpëtuar sa më shumë të rinj, sa më shumë fëmijë që bien për fat të keq në prehrin e këtij fenomeni shkatërrimtar dhe më pas janë përgjegjës për akte të tilla që trondisin një shoqëri të tërë. Është një luftë që duhet bërë çdo sekond" tha zoti Meta.


Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, zoti Meta i akordo Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha, "Dekoratën e Artë të Shqiponjës".

Kryeministri Edi Rama tha se ky është çast i rëndë për Policinë dhe mbi të gjitha për familjen. Duke njoftuar akordimin e një mbështetje financiare familjes së Hoxhës, zoti Rama tha se kjo është "Detyrë e qeverisë të mbështesë fëmijët e “Dëshmorëve të Atdheut” të rënë në krye të detyrës".