RTSH 24 Live

Sociale

Pensionistët protestojnë para kryeministrisë, kërkojnë rritje të pensioneve

30/10/2024

Pensionistët protestojnë para kryeministrisë, kërkojnë rritje të pensioneve

Pensionistët kanë dalë në protestë përpara kryeministrisë këtë të mërkurë (30 tetor) për të kërkuar rritjen e pensioneve të tyre.

Përpara kamerës së Radio Televizionit Shqiptar, ata kanë treguar gjendjen në të cilën jetojnë dhe kanë shprehur gjithashtu të gjitha kërkesat drejtuar qeverisë.

Kemi dalë në protestë sepse ka mbi 20 vite që po protestojmë për të marrë të drejtat tona, indeksimin e pensioneve”, tha një pensionist.

Unë kam qenë minator në Memaliaj, kam punuar 25 vjet dhe marr një pension qesharak 200 mijë lekë. Prandaj ne kërkojmë të drejtat tona për rritjen e pensionit, ku minimali duhet të jetë 200 mijë lekë”, u shpreh një tjetër.

“Pa pension jemi edhe unë dhe gruaja, jemi pa asnjë ndihmë. Nuk kam çfarë t’i kërkoj djalit, ka tre fëmijë. Këta janë kriminelë, nuk janë atdhetarë”, tha një tjetër.

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, duke akuzuar qeverinë për gjendjen e pensioneve, bëri dhe një krahasim me vendet e rajonit.

Qeveria e Edi Ramës justifikohet se për ju pensionistët nuk ka para. E njëjta qeveri një ditë tjetër mburret se PBB është dyfishuar në këto 11 vjet. Atëherë do duhej që pensionet tuaja të ishin dyfishuar, por ata kujtohen vetëm për indeksimin mjeran. Mburren se Shqipëria ka fituar 4 mld euro nga turizmi. Do të mjaftonin më pak se 1 mld euro nga turizmi që pensioni të rritej. Ne kemi një qeveri që thotë se nuk kemi para e s’jemi Gjermania e Zvicra, ne nuk mund të bëheshim nesër si Gjermania e Zvicra, por si vendet e rajonit. Kosova e ka 228 euro pensionin, 340 Bosnja, 405 euro Maqedonia, 440 euro Serbia, Mali i zi 450 euro. Si ka mundësi fqinjët tanë kanë pensione disa herë më të larta se ne? Sepse ne kemi një nga qeveritë më të korruptuara dhe të paafta të rajonit dhe të gjithë botës”, deklaroi Qori.

Në mbyllje të protestës pensionistët kanë deklaruar se do të kthehen sërish për të tubuar, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.