RTSH 24 Live

Kronika

PD premton liberalizim të tregut të energjisë dhe bashkimin me tregun e energjisë së Kosovës

24/02/2021

PD premton liberalizim të tregut të energjisë dhe bashkimin me tregun e energjisë së Kosovës

Partia Demokratike e opozitës prezantoi sot programin për energjinë, në rast se ajo vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 25 prillit. 
Kryetari i saj Lulzim Basha premton liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, sipas të cilit konsumatorët do të kenë mundësinë të zgjedhin vetë operatorin ku do ta blejnë energjinë.
Një tjetër premtim është bashkimi i tregut të energjisë së Shqipërisë me tregun e energjisë së Kosovën
Zoti Basha premtoi se PD do të uli faturën e energjisë elektrike për 70 përqind të familjeve shqiptare . Ra në sy se PD do të rikthejë sistemin e  faturimit me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.
Kreu i PD tha se "Ne do të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë". "Biznesi do te furnizohet më lirë dhe më mirë, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tij dhe mundësitë për të gjeneruar punësim" shtoi ai.
"Ne do te zhdukim nga qarkullimi gjeneratorët, sepse është skandal për ekonominë shqiptare që në vitin 2021, nga vetë të dhënat e Bankës Botërore, gati gjysma e bizneseve deklarojnë se përdorin gjeneratorin për furnizim" tha zoti Basha.
"Unë angazhohem për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji elektrike bazë ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut" ishte një tjetër premtim i kreut të opozitës.
NJë tjetër premtim i Zoti Basha ishte se "... do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot".
"Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës. Do të nxisim ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha si energji të pastër në bazë, ndërsa rezervat hidrike të KESH do t`i përdorim për energjinë e balancimit apo energjinë në pik" u shpreh zoti Basha.
Kreu i opozitës premtoi se "Ne do të lidhim gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës, do të gazifikojmë zonat industriale dhe do të aplikojmë projektin e magjistralit Jon-Adriatik, duke siguruar një lidhje me magjistralin e gazit me Kosovën".