Partitë e vogla në Shqipëri kanë shprehur preferencën e tyre për datën 4 maj 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Kjo kërkesë vjen pas shqetësimeve për ndikimin që mund të ketë takimi i Komunitetit Politik Europian, i cili do të zhvillohet në Tiranë më 9 maj.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, shpjegoi se takimi europian mund të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve, pasi do të shënonte një ngjarje madhore që mund të përdorej për përfitime politike nga ana e qeverisë.
“Janë katër të diela të prillit dhe të majit. Data 11 përcaktohet në Kushtetutë, por mendoj se mund të ndikojë në zgjedhje, se i bie të mbyllet fushata në datën 9, kur ka një event madhor europian. Kjo është logjike. Ne jemi në opozitë vetë. Ka efekt nëse ka aktivitet kaq madhor në zgjedhje”, u shpreh Duka.
Ndërkohë, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi se çështja më e rëndësishme për partitë është modaliteti i votimit të diasporës, dhe preferon datat fundore për të mundësuar një periudhë më të gjatë për përgatitjen e procesit zgjedhor.
“Gjithë partitë politike janë të barabarta. Besoj që presidenti do të ketë konsulta dhe me partitë e tjera dhe do të vendosi një datë. Nuk besoj se do të ketë ndonjë problem nga pikëpamja politike, por më shumë nga pikëpamja kohore. Duhet parë vendimi i Kushtetueses për listat e hapura, por edhe për t’i dhënë më shumë kohë, për të kuptuar modalitetet si do votojë diaspora, që ia kemi shumë borxh. Kemi insistuar shumë edhe për ministrinë e diasporës, mundësia e bërjes së gjithë procedurës dhe kohës për t’iu adresuar diasporës. Datat fundore janë më të përshtatshme për mendimin e PDIU”, tha Idrizi.
Po ashtu, Agron Shehaj, kryetar i Partisë “Mundësia”, shprehu shqetësimin se zhvillimi i zgjedhjeve pas takimit të Komunitetit Politik Europian mund të përdorej nga qeveria për të përfituar politikisht, duke e vlerësuar ngjarjen si një mundësi për të ndikuar në fushatën zgjedhore.
“Problemet janë të shumta për mbajtjen e zgjedhjeve të lira. Presidenti nuk ka shumë hapësira për të ndërhyrë, por roli i tij është shumë i rëndësishme dhe mund të ketë ndikim me qëndrimet e tij. Presidenti vuri në dukej rëndësinë e zgjedhjeve dhe që qytetarët të kenë mundësinë për të zgjedhur se kush duhet të qeverisë vendin. Unë mendoj se është e papranueshme dhe e padobishme dhe me ndikim shumë të madh nëse një event kaq I rëndësishëm jo vetëm mbahet dy ditë para se mund të zhvillohen zgjedhjet por edhe një muaj para të mbahet do ishte e panevojshme. Këtë I tash dhe presidentit. Për ne është problem se partia në pushtet do e përdorte këtë event si një vlerësim për qeverinë”, tha Shehaj.
Sipas Kushtetutës zgjedhjet mund të mbahen gjatë periudhës 15 prill-15 maj. Në këtë kuadër, dy të dielat e fundit të muajit maj, më 4 dhe 11 maj, duken më të përshtatshme për partitë e vogla.
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot takime me krerët e partive të vogla atë të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, të PBDNJ-së, Vangjel Dule, dhe të LZHK-së, Dashamir Shehi, në kuadër të konsultimit për caktimin e datës së zgjedhjeve të vitit 2025.
Takimet me dy partitë më të mëdha, Partinë Socialiste (PS) dhe Partinë Demokratike (PD), janë parashikuar për të hënën e ardhshme, më 2 dhjetor.
/rtsh.al/