RTSH 24 Live

Europë

Partia e ish-kryeministrit bullgar Borisov fiton zgjedhjet e përgjithshme dhe ato për PE

11/06/2024

Partia e ish-kryeministrit bullgar Borisov fiton zgjedhjet e përgjithshme dhe ato për PE

Partia e djathtë GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov ka dalë fituese në të dyja zgjedhjet, kombëtare dhe ato për Parlamentin Europian, që vendi mbajti më 9 qershor.

Në bazë të rezultateve të zbardhura nga 100% e kutive të votimit, koalicioni GERB-UDF fitoi njëkohësisht duke marrë mbi 24,7 për qind të votës popullore në nivel kombëtar dhe 23,54% për PE.

Për bullgarët, zgjedhjet e përgjithshme të së dielës ishin përsëritja për herë të gjashtë e një procesi që ata e zhvillojnë prej tre vitesh. Edhe këtë herë, ndarja e mandateve do të bëjë që GERB të mos ketë shumicën qeverisëse, por do i duhet të paktën dy partnerë për të formuar kabinetin.

Partia etnike "Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë" ka dalë e dyta, duke siguruar një rezultat të papritur prej 17,07% në nivel kombëtar dhe 14,66% për PE. Forca e tretë doli "Vijojmë ndryshimin - Bullgaria demokratike" me rreth 14 për qind të votës në të dyja zgjedhjet. Partia "Vazrazhdane", e cila kundërshton çdo lloj veprimi kundër Rusisë në luftën e saj me Ukrainë doli e katërta me 13,78%.

Shtatë parti politike e kaluan pragun elektoral 4% për të hyrë në Kuvendin Kombëtar me 240 vende.

Ish-kryeministri Borisov e ka drejtuar Bullgarinë për më shumë se një dekadë, por ai zbriti nga pushteti në vitin 2021 kur u ndesh me akuzat se nuk po bënte sa duhet me luftën kundër korrupsionit dhe për lidhje me oligarkët. /BTA, Euronews, Reuters

/rtsh.al/