RTSH 24 Live

Kosovë

Parlamenti Evropian e cilëson terrorist sulmin e 24 shtatorit në Banjskë

19/10/2023

Parlamenti Evropian e cilëson terrorist sulmin e 24 shtatorit në Banjskë

Parlamenti Evropian miratoi të enjten (19 tetor) rezolutën për dënimin e sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, tashmë një dëshmor për Kosovën.

Projektrezoluta u propozua nga grupi politik i socialdemokratëve dhe kërkon sanksionimin e Serbisë dhe ekstradimin e ish-nënkryetarit të partisë Lista Serbe, Milan Radoiçiq.

Rezoluta e cilëson sulmin terrorist dhe kërkon përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

"Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi–Kosovë. Na duhet hetim i plotë i sulmit në Banjskë dhe të bëhet drejtësi. Beogradi dhe Prishtina po ashtu duhet t'i kthehen dialogut paqësor dhe konstruktiv të ndërmjetësuar nga BE-ja," njoftoi eurodeputeti Vladimir Bilicik.

Sulmi në fshatin Banjskë është dënuar nga Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar, pasi përplasja e gati 30 personave të armatosur me Policinë e Kosovës përfundoi me disa viktima.

Në fshat dhe në disa prej komunave me shumicë serbe të vendit janë gjetur edhe sasi të mëdha armatimi ushtarak.

Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur, ndërsa KFOR-i ka shtuar praninë e vet në Kosovë.

/rtsh.al/