RTSH 24 Live

Sociale

Parku i Butrintit vijon të këtë vizitueshmëri të lartë - Historia 2500-vjeçare tërheq turistë

10/11/2024

Parku i Butrintit vijon të këtë vizitueshmëri të lartë - Historia 2500-vjeçare tërheq turistë

Edhe këto ditë nëntori Parku Kombëtar i Butrintit vijon të vizitohet nga turistë të shumtë. Historia 2500 vjeçare e Butrintit tërheq pushues nga mbarë bota. Këta vizitorë janë kryesisht mosha të mëdha që kanë kureshtjen për të mësuar historinë shqiptare. Janë kryesisht grupe të organizuar, që kanë interes edhe për trashëgiminë kulturore.

“Kemi ardhur në Sarandë me një grup prej 20 vetash. Ne jemi nga Moldavia , kemi vizituar shumë vende në Sarandë dhe mes tyre kemi përzgjedhur edhe Parkun Arkeologjik të Butrintit. Lexuam fillimisht rreth historisë që ka dhe na pëlqeu të njiheshim me këtë histori edhe duke e vizituar parkun nga afër. Është madhështor kemi ecur shumë nëpër ambientet e tij, na ka pëlqyer çdo monument që ka dhe natyra është mbresëlënëse”, u shpreh një turiste.

“E kishim parë parkun edhe nëpër fotografi por nga afër është shumë interesant. Më shumë na pëlqen të njihemi me historinë e tij me të cilën na ka njohur më tepër shoqëruesi ynë. Vizita qe e gjatë pasi parku është në një sipërfaqe shumë të madhe”, u shpreh një tjetër turist.

Të huajt thonë se zgjedhin këtë stinë të vitit pasi temperaturat nuk janë as shumë të larta dhe as shumë të ulëta dhe për shkak se nuk ka lëvizje të lartë turistike.

“Zgjodhëm muajin nëntor për të bërë vizitën tonë këtu pasi na u duk si muaji më i përshtatshëm ka qetësi dhe nuk ka lëvizje të madhe turistike. Megjithatë shohim se edhe tani paska vizitorë të shumtë”, tha turistja.

Kjo është stina më e përshtatshme për ne . Koha është e mrekullueshme po e shijojmë shumë këtë udhëtim.

Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon të fushëgropës së Delvinës.

Gazetare: B. Gjyli

/RTSH/