RTSH 24 Live

Rajon

Paradokset e diplomave në Serbi dhe në Kosovë

10/12/2020

Paradokset e diplomave në Serbi dhe në Kosovë

Mosnjohja e diplomave të universiteteve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë, ua kanë vështirësuar qasjen për punësim në institucione publike të rinjve shqiptarë që jetojnë në këtë vend.

Një prej tyre është Fismir Jahiu, shqiptar nga Bujanoci, një komunë në jug të Serbisë, i cili ka diplomuar në studimet e nivelit master për Ekonomi në Universitetin e Prishtinës.

Radio Evropa e Lirë e pati intervistuar Jahiun edhe në dhjetorin e vitit 2019, për të njëjtën çështje. Por, ai thotë se edhe pas një viti, nuk ka ndonjë ndryshim dhe diploma e tij ende nuk është njohur nga autoritetet serbe.

Mosnjohja e diplomave nga Serbia mban peng të rinjtë shqiptarë
EmbedShpërndaje

Por, të njëjtin fat nuk e ka Alleksandra Zdravkoviq, serbe nga Çagllavica, në afërsi të Prishtinës, e cila ka diplomuar në Shkencat Politike në Universitetin e Beogradit dhe diplomën e së cilës e kanë njohur autoritetet në Kosovë.

Përderisa Jahiu, për shkak të mospranimit të diplomës nga autoritetet serbe nuk ka arritur të punësohet në sektorin publik në shtetin ku jeton, Zdravkoviq tashmë punon në Radio Televizionin e Kosovës, që është shërbyes publik.

Përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se pa njohje të diplomave të universiteteve të Kosovës nga Serbia, të rinjtë nuk kanë qasje punësimi në institucionet publike.

Autoritetet e Kosovës thonë se kanë bërë hapa të njëanshëm për njohjen e diplomave të sistemit arsimor universitar të Serbisë, por ky gjest nuk është çmuar nga pala serbe.

Kontrast i diplomave në Serbi dhe Kosovë

Jahiu ka arritur diplomën bachelor për Ekonomi, në vitin 2010, ndërkaq masterin për Shkenca Ekonomike e ka përfunduar në vitin 2017. Ai me diplomën e tij universitare nuk ka mundur të punësohet në sektorin publik në komunën ku jeton, në Bujanoc. Aktualisht punon në një kompani private në Komunën e Preshevës.

Marrë parasysh që aktualisht pushtetin lokal në Bujanoc e kanë partitë shqiptare, siç thotë ai, ka pasur oferta për t’u punësuar në sektorin publik. Por, ai ka refuzuar të punojë vetëm me diplomën e gjimnazistit, pa iu njohur diploma universitare.

“Kam pasur oferta që të kaloj (në sektorin publik), por për shkak se nuk më njihet shkollimi (universitar), nuk kam pranuar vetëm me shkollë të mesme. Nuk të njihet fakulteti dhe pagesat janë më të vogla. Vetëm në shtëpinë tonë, prej katër fëmijëve – vetëm vëllai i ka edhe dy vjet në mjekësi – të tjerët, tre diploma të Prishtinës, që të tria nuk njihen”, tha Jahiu për Radion Evropa e Lirë.

Alleksandra Zdravkoviq, thotë se ka diplomuar në vitin 2013. Siç thekson ajo për Radion Evropa e Lirë, për ta nostrifikuar diplomën e saj në Kosovë, i është dashur vetëm një vulë nga noteri dhe më pas ka nisur punën në Radio Televizionin e Kosovës.

“Kur jam kthyer në Kosovë, kam punuar në një kompani private dhe nuk më duhej diploma. Kur fillova të punoj në RTK, në vitin 2018, atëherë shkova te noteri dhe pastaj e dorëzova kopjen e vërtetuar (të diplomës). Vetëm kaq më duhej”, tha Zdravkoviq.

Kamberi: Që nga 2014, nuk njihet asnjë diplomë

Në nëntor të vitit 2011, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të atëhershëm teknik, kishin arritur një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave të shkollimit universitar. Palët ishin pajtuar që nga Asociacioni Universitar Evropian të kërkohet certifikimi i diplomave të lëshuara nga universitetet e secilës palë, për përdorim nga pala tjetër, lidhur me shkollim apo punësim publik.

Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë viteve 2013- 2014, përmes vërtetimit që u bëhej diplomave të universiteteve të Kosovës nga organizata joqeveritare holandeze SPARK, Qeveria e Serbisë kishte pranuar që t’i verifikonte ato diploma, për të hapur mundësi punësimi përmes atyre diplomave.

“Së pari është dashur vërtetimi i SPARK-ut e pastaj në Beograd, Ministria e Arsimit e ka vërtetuar vetëm vërtetimin e SPARK-ut dhe jo diplomën. Por, njerëzve u ka kryer punë edhe ajo. Tash, prej vitit 2014 nuk funksionon më ajo. Nuk njihet asnjë diplomë. Shumica e diplomave të shtatë apo tetë gjeneratave, nuk njihen. Ekziston ai dekreti i qeverisë, është në fuqi, por nuk po zbatohet, sepse më nuk ka SPARK. Kur e ka përfunduar projektin, pas atyre dy vjetëve, më nuk ka vazhduar dhe ka mbetur kështu”, theksoi Kamberi.

Ai shtoi që mosnjohja nga autoritetet serbe të diplomave të studentëve që kanë diplomuar në universitetet në Kosovë, ka bërë që një numër i të rinjve të migrojnë.

“Pikërisht ky është ndër problemet më të rënda, sepse edhe ata që kanë pritur nga shtatë deri 10 vjet dhe nuk u janë nostrifikuar diplomat, i kanë humbur shpresat që të jetojnë më këtu. Janë larguar dhe jo vetëm që janë larguar vetë, por edhe me familje. Është një proces shumë i rrezikshëm që po kërcënon sidomos Bujanocin”, tha Kamberi.

Siç thotë ai, aktualisht nuk ka statistika të sakta se sa është numri i të diplomuarve shqiptarë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilëve diplomat nuk u janë njohur nga shteti serb. Por, sipas tij, ky numër tejkalon 1.000.

Rexha: Kosova ka pranuar diplomat e verifikuara

Autoritetet në Kosovë thonë se për njohjen e ndërsjellë të diplomave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes së Brukselit, ishte organizuar një skemë me ndërmjetësimin e Asociacionit të Universiteteve Evropiane, i cili veproi përgjatë dy vjetëve, gjatë të cilës kohë ishin njohur një numër i diplomave.

Siç thotë për Radion Evropa e Lirë zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës i Qeverisë së Kosovës, Xhavit Rexha, autoritetet e Kosovës, pas marrëveshjes në Bruksel për njohjen e ndërsjellë të diplomave, kanë nxjerrë një udhëzim administrativ për këtë çështje, i cili është ende në fuqi dhe zbatohet. Përveç kësaj, siç thotë ai, Kosova ka bërë një hap tutje në vitin 2015 dhe ka sjellë Dekretin për procedurat dhe kriteret për lëshimin e certifikatave për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë mbaruar Universitetin në Mitrovicës e Veriut, i cili punon sipas sistemit të Serbisë dhe në Kosovë njihet si institucion arsimor paralel.