RTSH 24 Live

Kosovë

Paradë për 17-vjetorin e Pavarësisë, Osmani dhe Kurti: Miqtë e Kosovës, miqtë e lirisë

17/02/2025

Paradë për 17-vjetorin e Pavarësisë, Osmani dhe Kurti: Miqtë e Kosovës, miqtë e lirisë

Në përvjetorin e 17-të të Pavarësisë së Kosovës, Ushtria dhe Policia e Kosovës zhvilluan një paradë në sheshin “George Bush” në Prishtinë. Mijëra qytetarë kishin mbushur rrugët e kryeqytetit për të ndjekur paradën e trupave të forcave të sigurisë, që përfshinte jo vetëm trupat tokësorë por edhe parakalimin e pajisjeve moderne dhe automjete luftarake.

Para nisjes së parakalimit të trupave të sigurisë, një fjalë për vlerësimin e sakrificave të mijëra qytetarëve dhe heronjve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës u vlerësuan dhe nderuan nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Gjatë fjalës së saj presidentja Vjosa Osmani theksoi sakrificat dhe luftën e popullit të Kosovës për arritjen e lirisë, ndërsa u shpreh se "miqtë e Kosovës janë miqtë e lirisë".

“Në këtë 17-vjetor të shtetit tonë ne jemi këtu sepse qëndruam dhe rezistuam. Ne jemi sot këtu sepse luftuam sepse sakrifikuam sepse nuk u përkulëm kurrë para dhunës, para padrejtësisë dhe mizorive. Falë ushtrisë dhe policisë që sot parakalojnë arritëm ta mbrojmë edhe çdo pëllëmbë të shtetit tonë. Ne nuk harrojmë ndihmën e tyre sepse Kosova ka miq dhe miqtë e Kosovës janë miqtë e lirisë. Kosova megjithatë nuk është vetëm një copë tokë Kosova është frymë shpirt dhe mision i përhershëm ... Kushdo që guxon ta vërë në dyshim këtë realitet le ta dëgjoj zërin e popullit sot. Sot ne të gjithë populli i Kosovës jemi bashkë, populli i Kosovës feston si një, me dhe krenari, pavarësisht dallimeve, sfidave ne mbesim të bashkuar për atdheun tonë, për Republikën tonë të dashur”, tha Osmani.

Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti theksoi se shënimi i 17-vjetorit të Pavarësisë është një testament i përpjekjeve të gjatë të popullit të Kosovës për të arritur këtë ditë historike.

“Në mes të këtij sheshi jemi ne të zgjedhurit e popullit tonë, mbi themelet e këtij raporti demokratik është ngritur edhe vazhdon të mirëmbahet Republika e Kosovës që nga zgjedhjet e 17 nëntorit 2007 që e nxorën legjislaturën e Kuvendit të Kosovës, e cila e shpalli Pavarësinë më 17 shkurt 2008 si përfaqësues të popullit. Ne jemi popull autokton, që do të thotë se historia nuk na fillon e as na mbaron me asnjërin brez”, është shprehur Kurti.

Parada ishte edhe një simbol i fuqizimit të institucioneve të Kosovës dhe arritjeve të saj në 17 vite pavarësi, duke theksuar gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të sigurisë për mbrojtjen e integritetit të Kosovës.

/rtsh.al/