RTSH 24 Live

Aktualitet

Panairi i Punës në Athinë, Rama: Ofrojmë paga konkurruese dhe mundësi më të mira se Greqia

02/03/2025

Panairi i Punës në Athinë, Rama: Ofrojmë paga konkurruese dhe mundësi më të mira se Greqia

Kryeministri Edi Rama ka theksuar mundësitë e mëdha që Shqipëria ofron për ata që kërkojnë mundësi punësimi. Gjatë një konference pas vizitës në Panairin e Punës në Athinë, Rama nënvizoi se ky panair është një mundësi për të njohur kompanitë shqiptare dhe ofertat e tyre të punës.

Rama ka bërë të ditur se ky panair është vetëm fillimi dhe se një panair i dytë do të organizohet në vjeshtë. Kryeministri i ka hedhur poshtë të gjitha reagimet negative për ekonominë shqiptare, duke theksuar se ekonomia është në rritje dhe mundësitë për të bërë biznes janë më të mëdha se kurrë.

“Ky panair i parë në Athinë do të pasohet nga një panair i dytë në vjedhtë. Do vijmë përsëri dhe do të jemi këmbëngulës sepse të 120 kompanitë që kanë ardhur këtu sot, ofrojnë vende pune dhe paga më të mira se sa pagat që fitohen në të njëjta vende pune këtu në Greqi. Të gjitha ata që thonë se ekonomia e Shqipërisë është keq, në fakt o flasin keq qëllimisht, ose nga mungesa e informacionit behën përhapës të këtyre fjalëve. Ekonomia është zgjeruar dhe mundësi për të bërë biznes janë rritur, nuk janë ulur”, tha Rama.

Kryeministri foli për progresin e vendit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe tha se Shqipëria është në një moment historik, me një afat deri në vitin 2027 për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit. Rama shprehu shpresën se Shqipëria dhe Greqia do të arrijnë të ulen në një tryezë të barabartë në BE.

“Për rrethana të historisë dhe të fatit yjet tona dhe te Evropës janë rreshtuar në vijë të drejtë. Kemi një afat kohor që kemi dakordsuar me ta, që brenda vitit 2027 të kemi mbyllur të gjithë procesin e negociatave. Është afati më i shpejtë që i është dhënë ndonjë vendi në historinë e negociatave, jo sepse ne po i bëjmë përditë detyrat tona por sepse ata duan që të kenë Shqipërinë brenda vetes. Ky është një moment që nuk do të jetë përgjithmonë dhe gjërat mund të ndryshojnë sepse ne kemi qenë edhe kur i bënim detyrat shumë mirë. Para se gjërat të ndryshojnë ne na duhet të hyjmë brenda dhe të jemi me të drejta të barabarta me BE. Të ulemi me Greqinë si dy vende fqinje në një tryezë, si dy vende të barabarta jo vetëm me zakon por edhe me ligj, por edhe me vulë dhe si ne dhe Greqia të jemi bashkë tek yjet e verdha të flamurit të BE”, shtoi ai.

/rtsh.al/