Në ndërkohë që dikasteri i financave dhe ekonomisë ka filluar punën për përgatitjen e një paketë të re fiskale, që shoqëron buxhetin e vitit të ardhshëm, televizioni publik ka kontaktuar përfaqësuesit kryesorë të biznesit, për të njohur kërkesat e sipërmarrjes, për arritjen e një klime më të favorshme për të bërë biznes.
Filip Gjoka, President, Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike kërkoi që “Për këtë industri të ulë tatim-fitimin nga 15 % ta çojë të paktën 7.5% për këtë vit, sepse vitin tjetër paketa do të ndryshojë sërish”.
Kërkesat e këtij biznesi vijnë në emër të vendit që zë kjo industri në ekonominë shqiptare. Fermerët aktualisht kultivojnë, grumbullojnë dhe eksportojnë 186 lloje të bimëve mjekësore dhe aromatike. Sektori punëson mbi 90,000 punonjës, 10% e të cilëve janë të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 ha.
“Për ata të cilët që grumbullojnë bimë në zonat e thella malore, ministria e Financës në bashkëpunim me Zyrat Vendore, të krijojnë mundësinë që t’i mbulojmë shoqërimet sociale”, tha Gjoka.
Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike, si një industri që kultivon ose mbledh qindra lloje bimësh medicinale dhe aromatike, e vendos Shqipërinë ndër 25 eksportuesit kryesorë të bimëve medicinale dhe aromatike në botë.
Të paktën 95 për qind e gjithë prodhimit orientohet drejt eksportit. Rritja e eksporteve të këtij grupi ka qenë e vazhdueshme edhe pse në total të ardhurat e gjeneruara mbeten modeste.
Rreth 32 për qind e eksporteve të këtij grupi orientohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po kaq edhe drejt Gjermanisë.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/