Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën të ditur se nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës.
Sipas OSHEE-së, skema e faturimit për këto subjekte ka hyrë prej muajit prill dhe është përcaktuar pas dakordësisë së plotë me vetë subjektet.
OSHEE sqaron se koncepti i “orarit pik”, i cili po diskutohet kohët e fundit është një koncept specifik i vendosur që në vitin 2016 nga ERE, si institucioni i ngarkuar me ligj për përcaktimin e tarifave në sektorin e energjisë.
“Orari pik” gjatë të cilit aplikohet çmimi për energjinë e konsumuar është: për periudhën 1 nëntor – 31 mars nga ora 18:00 deri në 22:00. Për periudhën 1 prill – 31 tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.
Vetëm gjatë “orarit pik”, për subjektet private, çmimi është 15% më i shtrenjtë se çmimi i zakonshëm.
Pas disa raportimeve në medie se prodhuesit e bukës do të rrisnin çmimin e bukës në treg, OSHEE sqaron se asgjë nuk ka ndryshuar nga data 1 nëntor. Vendimi i ERE për “energjinë pik” është i zbatueshëm që nga viti 2016 për gjithë subjektet private që kanë të instaluar matës inteligjent (vetëm matësit inteligjent janë të aftë të lexojnë konsumin sipas orareve).
Si rrjedhojë, çdo rritje e çmimit nga subjektet e furrave të bukës është i padrejtë dhe abuziv.
OSHEE sqaron se çmimi i energjisë elektrike për furrat e bukës dhe kategoritë e bizneseve që prodhojnë produkte buke është i subvencionuar nga ana e shtetit.
Ky çmim nuk reflekton asnjë kosto të energjise dhe qeveria e subvencionon si një masë sociale për popullsinë.
Bashkëpunimi shumë i ngushtë me grupet e interesit, si Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumrave, ka sjellë një tarifim më të drejtë të subjekteve dhe mbështetjen e një konkurrence të ndershme ndërmjet kategorive të ndryshme të furrave të bukës.
Sipas ATSH
/ rtsh.al /