RTSH 24 Live

Politikë

Opozita dërgon në Kushtetuese mandatin e Xhaçkës, Bardhi: Gjykata të rivendosë dinjitetin

24/04/2024

Opozita dërgon në Kushtetuese mandatin e Xhaçkës, Bardhi: Gjykata të rivendosë dinjitetin

44 deputetë nga opozita, mes tyre edhe ata që mbështesin Lulzim Bashën i janë bashkuar kërkesës që është dërguar sërish në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.

Padia është dorëzuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, i cili tha se kjo gjykatë duhet të rivendos autoritetin, pas cenimit nga mazhoranca që rrëzoi me votë në parlament vendimin e Kushtetueses.

Nga dera e gjykatës, Bardhi tha se vendimet e Kushtetueses janë hedhur poshtë me votë politike duke mbrojtur Olta Xhaçkën. Ai i bën thirrje gjykatës të mos zvarrisë çështjen, pasi duhet të vendos në vend “dinjitetin e saj të përdhosur”.

“Kuvendi ka shpallur veten Sovran ndaj vendimeve të Kushtueses. Kjo s’ka të bëjë më me të drejtën e papajtueshmërisë së mandatit të një deputete por me autoritete e vetë të Gjykatës. Është në nderin e kësaj gjykate që pa asnjë vonesë dhe pa zgjatur procedurat të mblidhet me urgjencë për të rivendosur në vend dinjitetin e përdhosur nga shumica parlamentare. Nuk ka ndodhur kurrë që as në përplasjet politike ndaj vendimeve të Kushtetueses që të hidhen në kosh me votë politike”, tha Bardhi.

Për Bardhin kjo çështje rëndohet edhe më shumë, kur SPAK po heton familjarë të Olta Xhaçkës lidhur me “grabitjen masive të 11 mijë m2”. Ai shtoi se mazhoranca po i jep mbrojtje politike duke i përcjellë një mesazh të qartë drejtësisë.

“Ndodh për herë të parë ndërsa SPAK po heton grabitjen masive të një prone masive 11 mijë m2 nga familjarë të Xhaçkës, kuvendi refuzon vendimet e drejtësisë duke i përcjellë një mesazh. Sa kohë ka ndodh një shkelje flagrante e Kushtetueses e vetmja rrugë është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese. Të grabisësh 11 mijë m2 tokë dhe të mos lejosh gjykatën të shqyrtojë papajtueshmërinë e mandatit do të thotë t’i japësh mbrojtje politike nga drejtësia bashkëpunëtorit tënd”, tha Bardhi.

Më 11 prill, Kuvendi votoi kundër dërgimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese. Kërkesa e opozitës u rrëzua me 72 vota kundër të Partisë Socialiste në mazhorancë, përkundrejt 32 votave pro të deputetëve të opozitës që mbështetën dërgimin e çështjes së ish-ministres së Jashtme në Kushtetuese.

/rtsh.al/