RTSH 24 Live

Aktualitet

Operacioni në 26 vende të Evropës, Balla: 28 të arrestuar në Shqipëri, u sekuestruan 81 kg kanabis e doza kokaine

01/12/2023

Operacioni në 26 vende të Evropës, Balla: 28 të arrestuar në Shqipëri, u sekuestruan 81 kg kanabis e doza kokaine

Policia e Shtetit ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar EMPACT JAD 2023, i cili u zhvillua njëkohësisht në 26 vende të Europës, me mbështetjen e Eruropol, Interpol, Eurojust, Frontex, Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar për operacionin e zhvilluar në 26 vende të Europës, ku u arrestuan 566 persona, mes të cilëve 28 u prangosën në Shqipëri.

Ministri bën me dije se në aksion u angazhuan 315 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët ushtruan kontrolle në 2648 subjekte, 1525 persona dhe 92 ambiente, ku u gjetën dhe u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak, 81 kg kanabis dhe doza kokaine.

Operacioni kishte në shënjestër rrjete të trafikimit të armëve të zjarrit, të lëndëve narkotike, të emigrantëve si dhe goditjen e rrjeteve kriminale me rrezikshmëri të lartë.

Në Shqipëri operacioni u koordinua nga Drejtoria e Europol, duke angazhuar në total 315 punonjës  të Policisë së Shtetit për kontrollin e 2648 subjekteve, 1525 shtetasve, 987 mjeteve, 40 pakove postare dhe 92 ambienteve. Në vendin tonë u arrestuan 28 shtetas, u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak, 81 kg lënde narkotike canabis dhe shumë doza kokainë.

Në total në 26 vendet europiane, gjatë këtij operacioni janë arrestuar 566 shtetas (218 për trafikimin e personave, 186 për trafikimin e drogës, 69 për trafikimin e armëve, 89 për krime të tjera); janë sekuestruar 310 armë zjarri, municion luftarak dhe rreth 1 ton drogë (626 kg kokainë, gati 300 kg cannabis, heroinë dhe lëndë të tjera narkotike”, deklaron Balla.

/rtsh.al/