Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shtyrë për të mërkurën vendimin, lidhur me ankimimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, për masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Vendimi u shty pasi avokatët mbrojtës do të njihen edhe me provat e reja që sollën në seancë prokurorët e SPAK.
Avokatët mbrojtës të Veliajt, Ermir Beta dhe Artur Selmani, kanë kërkuar masë më të butë sigurie për Veliajn, kundrejt garancisë pasurore, me argumentin se nuk ka rrezik që të prishë provat. Seanca e së martës zgjati për më shumë se 7 orë. Në nisje të saj, Joshua Roberts, avokati amerikan i Veliajt, në rolin e këshilltarit të jashtëm, nuk u lejua të marrë pjesë në seancë në rolin e vëzhguesit.
Vetë Veliaj ka deklaruar në mjaftraste se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë. Ai ka pretenduar se arrestimi i tij është veçse ekzekutim i një urdhri politik nga “gjyqtarët e prokurorët e Berishës”.
Ai ka deklaruar se situata ndaj tij përngjan me metodat e regjimit komunist dhe se largimi i tij nga detyra pa një proces të rregullt gjyqësor është “grusht" ndaj votuesve të Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua me 10 shkurt. Ai akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas SPAK, Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten, Ajola Xoxa ka krijuar një skemë korruptive për transferimin e fondeve nga Bashkia e Tiranës, apo kontraktorë të saj, në drejtim të një grupi OJF-sh apo personash fizikë, që, sipas SPAK, 'kontrolloheshin nga Xoxa'.
Akuzat dhe mbrojtja
Sipas Prokurorisë, provat dhe faktet e grumbulluara “krijojnë dyshimin e arsyeshëm se bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit”.
Referuar dosjes, prokurorët janë të mendimit se “në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt”.
Por Veliaj i ka hedhur poshtë dyshimet e ngritura ndaj tij. Në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë, pak ditë pas arrestimit, kryebashkiaku pati një debat me tone të larta me prokurorin e çështjes, Olsi Dado, të cilin ai e akuzoi “për veprime të nxitura nga interesa personale”.
Sipas Veliajt, prokurorit i është refuzuar nga Bashkia leja për disa kate shtesë, në një ndërtim në truallin e tij dhe disa bashkëpronarëve të tjerë, dhe se një fakt i tillë ka nxitur hakmarrje personale ndaj kryetarit të Bashkisë.
Veliaj i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të kërkuar nisjen e procedimit disiplinor ndaj prokurorit Dado, si dhe pezullimin e tij, duke qenë se “po vepron në konflikt interesi”.
Avokatët e Veliajt kërkuan të martën lirimin e tij, duke deklaruar se ai po mbahet në burgim pa asnjë kriter ligjor, si dhe duke argumentuan se kryebashkiaku “nuk ka asnjë mundësi të prishë provat”, apo “të largohet nga vendi për t’iu shmangur përballimit me Drejtësinë”. Ata kanë propozuar dhe lirimin e tij kundrejt një garancie pasurore, apo edhe të mbajtjes së pasaportës.
Prokurorët nga ana tjetër, kanë këmbëngulur në mbajtjen e tij në burg, duke deklaruar gjatë seancës së sotme, se ata kanë në zotërim, prova të reja, kundër kryebashkiakut. Këto deklarime çuan në shtyrjen për ditën e nesërme të seancës, në mënyrë që avokatët të njihen me këto prova.
Gjithsesi, do të jetë dita e nesërme ajo që do të qartësojë nëse do të mbetet në fuqi masa “arrest me burg” që është tani në fuqi ndaj Veliajt, apo do të ketë ndryshim të kësaj mase sigurie.
/rtsh.al/