RTSH 24 Live

Kosovë

Një vit nga sulmi ndaj KFOR-it në Veri, presidentja e Kosovës tha se autorët janë të lirë dhe mbrohen nga Serbia

30/05/2024

Një vit nga sulmi ndaj KFOR-it në Veri, presidentja e Kosovës tha se autorët janë të lirë dhe mbrohen nga Serbia

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kujtoi të enjten sulmin ndaj trupave të KFOR-it, që ndodhi një vit më parë në komunën veriore të Zveçanit. Ajo thotë se siç tregojnë pamjet e asaj dite, por edhe hetimet penale të kryera nga agjencitë e ligj zbatuese 93 ushtarë u plagosë në sulmet nga grupet serbe të krimit të organizuar pas urdhrave të qarta politike nga regjimi i Vuçiçit dhe krerëve të bandës së tij.

“Autorët, të cilët janë ende të lirë në Serbi dhe të mbrojtur nga regjimi i Vuçiçit, duhet të mbajnë përgjegjësi! Mosndëshkimi vetëm i ka inkurajuar ata të përsërisin sulmet, siç tregohet qartë përmes aktit të agresionit të 24 shtatorit nga Serbia”- shkruan Osmani në rrjetin social X.

Ajo theksoi se sulmi i majit të vitit të kaluar ishte kundër NATO-s, ndërsa shtoi se dihet se kush janë personat që i urdhëruan dhe ekzekutuan ato ngjarje. “Mosndëshkimi duhet të marrë fund! Ushtarët e rinj humbën gjymtyrët dhe jeta e tyre ndryshoi përgjithmonë. Ata vunë jetën e tyre në rrezik për paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë”, tha kryetarja e shtetit të Kosovës.

Më herët, lidhur me sulmin e protestuesve serbë kundër ushtarëve të KFOR-it në Zveçan, reagoi edhe komandanti turk i misionit të NATO-s në Kosovë. Ozkan Ulutash u shpreh se angazhimi i forcave të KFOR-it për sigurinë në  Kosovë mbetet i palëkundur.

/RTSH/