RTSH 24 Live

Sociale

Nisin aplikimet për kullotat me qira në Tepelenë, mbi 40 kontrata të lidhura me blegtorët

27/11/2024

Nisin aplikimet për kullotat me qira në Tepelenë, mbi 40 kontrata të lidhura me blegtorët

Në Bashkinë Tepelenë ka nisur procesi i aplikimit nga blegtorët për marrjen me qira të kullotave dimërore. Deri më tani, janë lidhur rreth 40 kontrata, ndërsa pritet që numri i aplikimeve të vijojë të rritet në ditët në vijim, duke u dhënë mundësi blegtorëve të sigurojnë hapësirat e nevojshme për këtë sezon për rreth 50 mijë krerë të imta dhe të trasha që ka në territorin e saj.

“Për të gjithë bashkinë janë mbi 40 aplikime për fermer për kullota dimërore ndërkohë që shumica e kontratave janë mbyllur dhe mund të vijnë kërkesa edhe në vazhdim”, u shpreh Gëzim Shehu,  Drejtor i Bujqësisë në Bashkinë Tepelenë.

Gjithashtu, sipas të dhënave, blegtorët kanë shfaqur interes edhe për kullotat me afat 10-vjeçar, për të investuar në to.

“Kemi rreth 12 kërkesa ndërkohë edhe procedura zgjat pak deri në certifikimin e pronave”, u shpreh Shehu.

Procesi i marrjes me qira të kullotave dimërore në Bashkinë Tepelenë po u ofron blegtorëve mundësinë për të planifikuar më mirë sezonin e dimrit. Me interesin e treguar deri më tani, pritet që ky proces të përmbushë nevojat e komunitetit blegtoral dhe të kontribuojë në zhvillimin e sektorit.

/RTSH/