RTSH 24 Live

Aktualitet

Nis censi në gjithë vendin/ Në Kukës do të zhvillohet pas zgjedhjeve

18/09/2023

Nis censi në gjithë vendin/ Në Kukës do të zhvillohet pas zgjedhjeve

Këtë të hënë censusi ka nisur në të gjitha bashkitë e vendit.

Në Shkodër janë rreth 300 anketues të angazhuar

Meqënëse bashkia Shkodër ka një tërritor të shtrirë sidomos njësitë administratve dhe zonat malore, sipas përgjegjëses së zyrës rajonale të INSTAT ky proces është planifikuar më herët dhe stafi është i mjaftueshëm.

"Anketuesit dhe gjithë stafi që punon në Bashkinë Shkodër është i mirëtrajnuar. Stafi është i mirëllogaritur," thotë Mimoza Volumi, përgjegjëse e Zyrës Rajonale të INSTAT-it në Shkodër.

Mirëpo ky proces nuk ka nisur për bashkinë e Kukësit për shkak të zgjedhjeve të pjesshme vendore që mbahen me 24 shtator.

Data e nisjes për Kukësin do të përcaktohet pas përfundimit të zgjedhjeve ndërsa në bashkinë Tropojë ku ka nisur janë 31 persona në terren dhe në bashkinë Has 19 persona të cilët zhvillojnë anketimet.

Në Krujë janë 95 anketues dhe 19 kontrollorë si dhe 3 supervizorë.

Sa i takon bashkisë së Korçës janë rekrutuar gjithsej 468 persona, anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat që ky proces të kryhet pa probleme edhe në zonat e thella ku nuk ka mbulim me internet.

"Vetëm në Bashkinë e Korçës janë gjithsej 140 anketues, të cilët kanë dalë në terren nga dita e sotme," deklaroi Miladin Fili, drejtor i INSTAT-it në Korçë.

Në qarkun Gjirokastër që në orët e para të mëngjesit, 59 regjistrues kanë dalë në terren për të mbledhur të dhënat nga banorët e  qytetit dhe 6 qendrave administrative të kësaj bashkie.

Proçesi do të zgjasë për 6 javë në të gjithë vendin dhe çdo person i familjes mbi moshën 18-vjeç që ka informacionet e sakta mund të japë informacionin për të gjithë pjesëtarët e familjes.

Gazetare: Megi Mëhilli dhe Besjana Gërmizi

/rtsh.al/