RTSH 24 Live

Aktualitet

Nis aksioni i ARRSH për mbylljen e hyrje-daljeve të rrezikshme në akset rrugore të vendit

27/11/2021

Nis aksioni i ARRSH për mbylljen e hyrje-daljeve të rrezikshme në akset rrugore të vendit

Autoriteti Shqiptar Rrugor (ARRSH) ka nisur ditën e sotme aksionin në të gjithë rrugët e vendit për të mbyllur hyrjet dhe daljet e rrezikshme të cilat nuk plotësojnë kriteret sipas standardeve e duke u kthyer në burim aksidentesh. Ky aksion do të nisë nga qafa e Kasharit dhe do të shtrihet në drejtim të Durrësit.

Sipas ARRSH, ky aksion konsiston në mbylljen me mbrojtëse anësore metalike dhe hapjen e kanaleve anësore të mbyllura në mënyrë të paligjshme nga ana e bizneseve në anë të rrugës. Për ato biznese që plotësojnë kriteret për të vijuar me ushtrimin e aktivitetit të tyre, por që nuk janë pajisur me autorizimin përkatës për hyrje-dalje, duhet të përgatisin dokumentacionin dhe të aplikojnë tek e-Albania. Sipas ARRSH, çdo projekt që do të paraqitet për hyrje-dalje, duhet të jetë i shoqëruar me një Raport Auditimi të Sigurisë Rrugore të përgatitur nga auditues i certifikuar. 

Nga 1300 subjekte që kanë akses në akset nacionale në vend, vetëm 60 prej tyre janë të licencuara dhe kanë marrë leje për përdorimin e rrugës. Sipas Berberit, të gjitha bizneset janë lajmëruar për këtë aksion, ndërsa të gjithë aplikueve do tu jepet leja në rast se plotësojnë standardet e kërkuara.

Sipas verifikimeve të kryera, 4 akset më problematike janë Shkodër-Hani i Hotit me 224 hyrje-dalje dhe asnjë me leje, Tiranë-Durrës me 299 dhe vetëm 31 me leje, Skuraj-Burrel-Peshkopi me 163 dhe asnjë me leje dhe Rrogozhinë Lushnje me 126 dhe vetëm 7 me leje.