RTSH 24 Live

Sociale

Nikolas Gjoni, kompozitori 14 vjeçar-Nxënësi lezhjan që ka krijuar 20 pjesë muzikore klasike

09/02/2024

Nikolas Gjoni, kompozitori 14 vjeçar-Nxënësi lezhjan që ka krijuar 20 pjesë muzikore klasike

Nikolas Gjoni, është shquar për prirjen e tij ndaj muzikës që i vogël. Hapja e klasave të muzikës në shkollën “Besëlidhja” e bënë që përveç pianos të përzgjidhte edhe instrumentin e fizarmonikës. Atij i pëlqente të improvizonte ndërsa luante pjesët muzikore për mësuesin e tij të muzikës.

Dëgjoja gjyshin që luante instrumentet, isha i vetmi fëmijë që më tërhiqte. Që atëherë mora mësime për piano”, tha Gjoni.

Të kompozosh është diçka mjaft e vështirë e sidomos në këtë moshë, por gjithsesi Nikolasi frymëzohet nga kompozitorët e mëdhenj.

Rregullat e kompozicionit janë shumë dhe janë të vështira, unë nuk dija, por duke dëgjuar kompozitorë të mëdhenj jam munduar t’i bëj në një formë më ndryshe” shton ai .

Drejtoresha e shkollës "Besëlidhja", ku mëson Nikolasi thotë se ai është një nxënës që nuk resht së punuari dhe mjaft premtues për të ardhmen.

Nikolasi është nga ata nxënës që ka ëndërruar shumë për suksesin dhe nuk ka ndalur së punuari për ta arritur atë. Kështu që suksesi i tij nuk është rastësor, por një punë e vështirë, shumë studim, mbi të gjitha një dëshirë shumë e madhe për të arritur atë që ai ëndërron”, u shpreh drejtoresha.

Prej 3 vitesh Nikolas Gjoni vazhdon të krijojë dhe deri tani ka 20 pjesë ndërsa të tjera janë në proces. Pak muaj më parë ai mbajti dhe një koncert recital në qytetin e Lezhës, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe instrumentisteve të njohur.

RTSH