Prej tre ditësh Ervis Martinaj, i shumëkërkuari i drejtësisë, ka humbur kontaktet me familjarët. Ka qenë xhaxhai i tij që ka denoncuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë zhdukjen e Martinajt i cili prej tre ditësh nuk ka kontaktuar me familjen e tij.
Pas dëshmive të Nuredin Dumanit, “të penduarit të drejtësisë”, SPAK ka shpallur në kërkim ndërkombëtar Ervis Martinaj. Në dëshmitë e dhëna nga Dumani më 20 maj, dosje e siguruar nga RTSH, Ervis Martinaj ka porositur ekzekutimin e Indrit Dokles, një prej anëtarëve kryesorë të bandës së Durrësit.
Martinaj do paguante 500 mijë euro për vrasjen e Dokles, nga të cilat 100 mijë janë marrë parapagim nga Nuredin Dumani, pasi pjesa tjetër do të merrej në përfundim të “porosisë’. Dumani ia delegoi punën Henrik Hoxhajt, punë e cila mbeti pezull pasi nuk dihej “vendndodhja” e Dumanit.
“Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Indrit Dokle. Kjo ka qenë rreth para një viti ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin unë e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda që ne po kryenin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500.000 Euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, para i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi”, ka thënë Hoxhaj.
Denoncimi nga ana e familjarëve të Martinajt, vjen pas atentatit që ndodhi në korrik në Fushë-Krujë ku u ekzekutuan tre persona, një prej të cilëve kushëriri i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj, i dyshuar për vrasjen e Xhulio Prelës në 2020.
Ervis Martinaj është një personazh i njohur i botës së krimit, i përfshirë në masakrën e 4 tetorit të 2018 në zonën e ish-Bllokut ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.
SPAK shpalli në kërkim ndërkombëtar Ervis Martinajn pas dëshmive të Nuredin Dumanit. Ervis Martinaj është dënuar më parë me 1 vit e 4 muaj si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit në vitin 2015 në zonën e Linzës. Emri i tij ka dalë edhe në dosjen e bujshme gjyqësore kundër Emiljano Shullazit, ndërsa ka qenë i përfshirë në përplasjen me armë në ngjarjen në ish-bllok në 2018.
Në muajin maj, forca të shumta të policisë dhe RENEA ‘blinduan’ disa qytete në kërkim të personazheve të botës së krimit të akuzuar për vepra të rënda penale.
/rtsh.al/